32 mijë firma për fëmijët/ Qiraxhi: Nisma lindi nga nevoja e familjeve për mbështetje shtetërore në trajtimet mjekësore jashtë vendit
Një nismë e re ligjore ka nisur nga një grup informal profesionistësh në qytetin e Korçës, me synimin për t'u dhënë fund dramave financiare të familjeve shqiptare që përballen me sëmundje të rënda të fëmijëve të tyre. Gjithçka nisi pas një rasti konkret në këtë qytet, ku një fëmijë e kishte të pamundur të diagnostikohej dhe trajtohej brenda sistemit mjekësor vendas.
Për të folur më tepër rreth kësaj nisme, i ftuar në emisionin "Drejt" , në "Ora News', ishte Migen Qiraxhi, i cili u shpreh se kjo situatë nxori në pah një problem të thellë: mungesën e kapaciteteve për të ekzaminuar dhe kuruar sëmundje specifike në Shqipëri. Nisma kërkon që shteti të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve për trajtimin e fëmijëve në spitale të përparuara jashtë vendit, jo vetëm kur sëmundja nuk kurohet dot brenda vendit, por edhe kur mjekësia vendase nuk arrin të gjejë një diagnozë të saktë.
" Ju e bëni parantezë, për hir të së vërtetës kjo është një nismë e cila në fakt ka ardhë si rezultat i një iniciative nga një grup informal në qytetin e Korçës, ku aty profesionistë të ndryshëm të përballur me një çështje që ishte konkrete në qytetin e tyre dhe që komuniteti u bë shumë i ndjeshëm, ku një prej fëmijëve të qytetit le të themi, po rvatej në sistemin shëndetësor për t'u diagnostikuar me një sëmundje që le të themi sistemi jonë shëndetësor nuk po e adresonte dot siç duhet. Dhe e gjet një zgjidhje për familjen...
Po, edhe do ta shpjegojmë pak edhe më vonë që ne kemi kërkuar suport jo vetëm për ata të cilët, sëmundje për të cilat nuk i përballon dot sistemi jonë shëndetësor ose nuk i kuron dot, po dhe për ato të cilat nuk gjendet le të themi forma dhe diagnoza, ngaqë vuajnë, për t'u trajtuar në një sistem më të përparuar spitalor siç mund të jenë ato jashtë vendit, por që shpenzimet të mbulohen nga shteti. Kjo nisi kështu, një grup qytetarësh nga Korça, iniciatorë të kësaj nisme ligjore, ligjvënëse, menduan që nëse një familje shqiptare, fëmija i tyre sëmuret, nga ç'kemi kuptuar në të gjithë këto vitet është që ose do të duhet të rrënojë ekonominë e vet nëse ka një ekonomi të tillë për ta kuruar jashtë vendit ose për ta diagnostikuar jashtë vendit...
Çdo formë tjetër ose duke hequr çdo kursim. Ose ajo që është forma që ne e kemi parë shpesh ku shqiptarët janë treguar shumë solidarë që janë GoFundMe. Ose e të njëjtës natyrë janë fondacione të ndryshme që le të themi mbledhin financa nga qytetarët e tjerë për t'i mundësuar kurimin e një fëmije ose dhe të qytetarëve të tjerë përgjithësisht jo vetëm fëmijë", u shpreh Qiraxhi.
Ndiqni emisionin e plotë:
