Mos na ndërtoni burgje, ndërtoni arsye që të rinjtë të mos largohen

Mos na ndërtoni burgje, ndërtoni arsye që të rinjtë

Ka diçka thellësisht të gabuar kur një klasë politike kërkon duartrokitje sepse po hap një burg, ndërsa prej vitesh nuk arrin të hapë një universitet.

Nëse ky është standardi i suksesit që u ofrohet banorëve të Qarkut Kukës, atëherë nuk kemi të bëjmë me zhvillim, por me një varfëri alarmante vizioni.

Kukësi, Hasi dhe Tropoja nuk kanë hyrë në histori si treva të kriminalitetit. Kanë hyrë në histori si treva të dijes, të sakrificës, të karakterit dhe të njerëzve që kanë prodhuar një elitë të tërë profesorësh, akademikësh, shkencëtarësh, juristësh, mjekësh, ushtarakësh e intelektualësh. Në raport me numrin e popullsisë, ky qark ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën akademike, shtetformuese dhe kombëtare.

Paradoksi është i hidhur.

Treva që kanë nxjerrë kaq shumë mendje të ndritura, sot shpërblehen me burgje, jo me fakultete.

Rinia nuk po largohet sepse nuk e do vendin e vet. Po largohet sepse politika i ka mbyllur çdo derë që të çon drejt dijes, punësimit dhe dinjitetit. Fshatra të tëra në Kukës, Has e Tropojë po zbrazen. Në shumë zona kanë mbetur vetëm pleqtë dhe plakat, ndërsa të rinjtë ndërtojnë jetën e tyre mijëra kilometra larg vendlindjes.

Kjo është drama e vërtetë e Veriut. Jo mungesa e burgjeve.

Një shtet serioz investon aty ku prodhohet e ardhmja, në universitete, në laboratorë, në kërkim shkencor, në arsim profesional, në ekonomi dhe në vende pune. Vetëm shtetet pa vizion e matin zhvillimin me metra katrorë institucionesh penitenciare.

Nuk është turp të ndërtosh një burg kur ai është i nevojshëm. Turp është ta paraqesësh atë si triumf politik, ndërkohë që prej dekadash nuk ke qenë në gjendje të ndërtosh kushtet që të rinjtë të mos largohen.

Veriu nuk ka nevojë të motivohet për të ikur, ai ka nevojë të motivohet për të qëndruar.

Dhe kjo nuk arrihet me ceremoni inaugurimesh, por me politika publike që prodhojnë dije, zhvillim dhe shpresë.

Ndoshta ka ardhur koha që politika shqiptare të heqë dorë nga logjika e mbijetesës personale. Breza të tërë janë konsumuar duke parë të njëjtët njerëz, të njëjtat konflikte dhe të njëjtën luftë brrylash për pushtet. Shqipëria nuk ka nevojë për karriera politike pa fund; ka nevojë për vizion, përgjegjësi dhe guxim për t’i hapur rrugë brezit të ri.

Në fund, historia nuk i kujton politikanët për burgjet që inaugurojnë. I kujton për universitetet që ndërtojnë, për mundësitë që krijojnë dhe për shpresën që u lënë brezave.

Kjo është ajo që meriton Kukësi. Kjo është ajo që meritojnë Hasi dhe Tropoja. Dhe kjo është ajo që meriton çdo i ri që ende beson se mund ta ndërtojë jetën në vendin e vet.

EMISIONET