Një pushtet i paaftë të dëgjojë, por me kurajë teatrale të flasë

[Për fjalët që po thuhen, por që populli nuk beson më ato që po dëgjon!]

Një pushtet i paaftë të dëgjojë, por me kurajë

Çdo shoqëri që kalon periudha tensioni, proteste dhe pakënaqësie, gjendet e përfshirë në një fenomen të çuditshëm: pushtetarë që flasin fjalë që nuk i përkasin më njerëzve, por shfaqen si makina që i riprodhon ato pa pushim.

Më ka kapur syri dalje publike, me figurë apo me fjalë të shkruara në media, nga ish-mbajtës pushteti të qeverive të fundit.

Të njëjtat fjali, i njëjti ton, e njëjta siguri fiktive e demonstruar ftohtësish prej njerëzish që dukshëm nuk e njohin realitetin, por që gjithsesi flasin, sikur realiteti të jetë një version i dytë që nuk ka lidhje me atë që jetohet në rrugët e Shqipërisë apo kudo ku ka shqiptarë!

Po shohim, se pushteti doli përsëri të flasë, tashmë jo për të lypur vota, por për të na dëshmuar sa pak komunikon!

E me të drejtë secili prej nesh fillon e pyet: a ka ende përgjegjës sipas këtyre fjalëve, apo vetëm një zë që mbron vetveten?

E sotmja e Shqipërisë po dëshmon sa shumë narrativa publike ka humbur aspektin e saj më të rëndësishëm: besueshmërinë.

Nuk është se ne nuk dëgjojmë më. Përkundrazi, ne po dëgjojmë e shikojmë më shumë se kurrë. Por ajo që po na serviret nuk na përket më.

Kjo është shfaqja më e dukshme e asaj çarjeje të madhe që shumë nga ata që dalin në mbrojtje të mynxyrës që të gjithë ne që protestojmë e shohim dhe e prekim çdo ditë, por që kanë zgjedhur të mos e shohin: mes asaj që thuhet dhe asaj që jetohet.

Në këtë hendek, fjala kurrsesi nuk bëhet urë. Ajo bëhet mburojë.

Filozofia e vjetër do ta quante këtë, mungesë të “logos”-it të gjallë, pikërisht fjalës që mendon, që pyet, që pranon kufijtë e saj. Sot, në kulm të zemërimit popullor, daljet publike vazhdojnë të mbeten performancë: jo për të dëshmuar reflektim dhe pranueshmëri të përgjegjësisë për realitetin, por për ta menaxhuar atë e ku qytetari nuk shihet si bashkëbisedues, por thjesht si audiencë që duan ta bindin!

Sa keq që nuk e kuptojnë se shoqëria nuk është audiencë! Ajo është trup i gjallë që mendon, reagon dhe mban mend.

Me daljet e tyre publike, kushdo që urdhërohet për ta bërë një gjë të tillë, shfaqet në mbrojtje të pozicioneve, duke shmangur thelbin e pyetjeve që vijnë nga zemërimi i atyre që mbushin çdo mbrëmje sheshet dhe kërkojnë largimin e kujtdo që ka prodhuar këtë shkatërrim të kombit dhe të vetë Shqipërisë.

Platoni do ta quante këtë largim nga e vërteta, formë të errësirës së shpellës, ku njerëzit shohin hijet dhe mendojnë se ai është realiteti. Sot, hijet nuk i kemi më në mur. Ato i kemi në ekrane.

Kur një përfaqësues publik na flet me sigurinë e të votuarit nga 800 mijë votues(!), çdo thirrje dhe revoltë protestuesve, me një artikulim të sforcuar na e quan keqkuptim dhe vetë protestën devijim, atëherë fjalët e tyre nuk bëhen më ura, ato bëhen mure.

Kushdo prej atyre që pranuan karrigen e pushtetit, një mësim të vogël do duhej ta kishte mësuar nga historia: asnjë shoqëri nuk e duron gjatë padrejtësinë dhe realitetin nuk mund ta fshish duke zgjedhur të mos e përmendësh.

Realiteti nuk zhduket. Ai vetëm grumbullohet, përmes pakënaqësisë, mosbesimit dhe distancimit, derisa një ditë shpërthen, sikundër po e shohim këto javë.

Ndaj pyes veten: si guxojnë ende dhe nuk na e kursejnë indinjatën këta folës dhe shkrues të autorizuar, kur ne që protestojmë nuk kemi nevojë për iluzione, sepse e vërteta që ata zgjedhin të mos e shohin e pranojnë është pikërisht një tension i gjerë dhe i thellë.

Ata duhet ta dinë se ky tension nuk zhduket. Ai grumbullohet, sepse ne qytetarët nuk jetojmë me interpretime. Ne jetojmë me pasoja. Sepse fjalët mund ta vonojnë përballjen me të vërtetën, por nuk mund ta zëvendësojnë atë.

Historia e shoqërive tregon diçka të qartë: asnjë hendek midis fjalës dhe realitetit nuk mbetet i ngrirë përgjithmonë.

Herët a vonë, realiteti gjithmonë e kërkon fjalën e tij.

Dhe atëherë, pyetja që mbetet është e thjeshtë dhe e ashpër njëkohësisht, jo vetëm politike, por njerëzore:

←    Si mund të flasin ende me kaq siguri, kur një pjesë e madhe e jona ka dalë në shesh dhe me zëra të bashkuar bërtet, e ata përsëri nuk dëgjojnë?!

←    A është kjo arrogancë, apo një formë e verbërisë së pushtetit që beson se fjala e vet mjafton për të zëvendësuar realitetin?

Ky pushtet ka ndalur së dëgjuari dhe më në fund, po na dëshmon haptazi se e ka humbur lidhjen me popullin e vet.

Ky është gjithmonë fillimi i fundit të tij.

Një pushtet i paaftë të dëgjojë, por me kurajë
Prof. Mimoza MANXHARI

EMISIONET