VIDEO/ Prej katër javësh në shesh, mbyllen fjalimet te Kryeministria, nis marshimi i 28-të në rrugët e Tiranës

Pas më shumë se dy orësh fjalime para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin tradicional në rrugët e Tiranës, duke e kthyer edhe një herë kryeqytetin në epiqendrën e revoltës qytetare që ka hyrë tashmë në ditën e saj të 28-të.

Me dhjetëra flamuj kuqezi në duar dhe nën brohoritje të pandërprera, qytetarët po përshkojnë bulevardet e kryeqytetit, ndërsa kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike që, sipas tyre, ka qeverisur vendin për më shumë se tri dekada.

Gjatë marshimit po jehojnë thirrjet që tashmë janë kthyer në sloganet kryesore të kësaj lëvizjeje: “Rama jep dorëheqjen”, “Rama ik”, “Shqipëri e re”, “Rama në burg”, “Berisha në burg”, si dhe thirrje të tjera kundër korrupsionit dhe sistemit politik.

Atmosfera është e ngjashme me netët e mëparshme, por organizatorët e cilësojnë protestën e sotme si një moment të veçantë, pasi është thirrur si protestë kombëtare dhe ka mbledhur qytetarë nga zona të ndryshme të vendit.

Marshimi vjen pasi në podium u mbajtën një sërë fjalimesh nga qytetarë, aktivistë dhe personalitete publike, të cilët përsëritën kërkesat për dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe ndryshime të thella kushtetuese e zgjedhore.

LIVE/ KATËR JAVË NË SHESH/ Mbahet protesta e 28-të kundër projektit për Zvërnecin

EMISIONET