Kevin Spacey: Karriera ime po rikthehet pas shpalljes i pafajshëm në gjykatë!

Aktori Kevin Spacey ka deklaruar se beson se karriera e tij po rikthehet gradualisht, pas viteve të tëra të përballjes me akuza për ngacmim dhe sulm seksual, të cilat ndikuan rëndë në jetën dhe karrierën e tij.
Në një intervistë në podcast-in "Club Random", Spacey tha se sot ndihet më i pranuar nga publiku dhe se njerëzit po i shohin ndryshe ngjarjet, sidomos pasi ai është shpallur i pafajshëm në proceset gjyqësore me juri.
Duke folur për akuzat, aktori pranoi se sjellja e tij në disa raste kishte kaluar kufijtë, por mohoi se ishte ashtu siç është paraqitur në publik.
Kevin Spacey
“Unë kurrë nuk kam thënë se nuk ka pasur ‘zjarr’. Thjesht nuk ka qenë një zjarr i madh. Kam flirtuar me shumë burra”, u shpreh Spacey, duke shtuar se disa akuza janë ekzagjeruar ose shtrembëruar.
Ai foli edhe për akuzat e ngritura nga aktori Anthony Rapp, duke kujtuar se gjykata në New York vendosi se ai nuk mbante përgjegjësi civile për pretendimet e ngritura ndaj tij.
Spacey tha se pas shpërthimit të skandalit humbi pothuajse gjithçka, përfshirë rolin në serialin "House of Cards", projektet në Hollywood dhe madje edhe shtëpinë e tij.
Megjithatë, theksoi se vitet e fundit ka nisur të punojë sërish në filma evropianë dhe produksione të pavarura.
Gjatë intervistës, aktori foli edhe për orientimin e tij seksual, duke pranuar se për shumë vite e kishte fshehur faktin se ishte homoseksual, megjithëse, sipas tij, njerëzit përreth e dinin tashmë.

