Hallaçi: Skuadrat e vogla po surprizojnë, Gjermania dhe Brazili po vuajnë më shumë se më parë!

Trajneri shqiptar i futbollit, Rrahman Hallaçi, ka dhënë një intervistë për “Ora News”, ku ka analizuar ecurinë e skuadrave të mëdha dhe surprizat e turneut, duke theksuar se diferencat mes ekipeve janë ngushtuar ndjeshëm.
Hallaçi u shpreh se skuadrat e konsideruara “të vogla” kanë treguar organizim dhe grintë të lartë, duke i vënë në vështirësi emrat e mëdhenj të futbollit botëror.
Sipas tij, edhe kombëtare si Gjermania kanë hasur vështirësi pavarësisht kualitetit, ndërsa Brazili, sipas tij, po kalon një periudhë tranzicioni dhe nuk ka më fuqinë e dikurshme.
“Gjermania ka ndryshuar stil loje dhe ka ndjerë vështirësi, ndërsa Brazili vuan në mbrojtje dhe nuk ka më nivelin e mëparshëm të kualitetit,” është shprehur Hallaçi, duke shtuar se Franca mbetet një nga skuadrat më të kompletuara në garë.
Ai ka komentuar gjithashtu edhe paraqitjet e Argjentinës, Anglisë, Holandës dhe Kroacisë, duke theksuar se shumë prej tyre nuk kanë hasur vështirësi të mëdha në fazën e grupeve.
Në analizën e tij, Hallaçi përmendi edhe surprizat si Maroku, të cilin e vlerësoi për organizimin dhe forcën në duelet një kundër një, duke theksuar se mund të shkojë shumë larg në turne.
Sipas trajnerit shqiptar, zgjerimi i kompeticioneve dhe rritja e nivelit të ekipeve më të vogla ka bërë që futbolli modern të jetë më konkurrues dhe më i paparashikueshëm se më parë
Rrahman Hallaçi:Janë afruar disa skuadra jo shumë të njohura, por që duke parë ndeshjet të gjitha mendoj që ka qenë pak ndryshe faktikisht nga se menduam sepse kanë qenë shumë të luftuara sfidat. Skuadrat e vogla, shumë të organizuara, kanë vënë shumë në vështirësi disa skuadra shumë të njohura, por kuptohet duke qenë se mundësia ka qenë për ta kaluar mendoj nga skuadrat e forta grupin, por gjithmonë duke ditur që kanë qenë pak të vështira sepse dhe skuadrat e vogla treguan potencialin, grintën e tyre, forcën e tyre. Sigurisht Meksika, Kanadaja dhe Amerika, kuptohet vendet organizatore, arritën për të kaluar këto sfida të vështira.
Jo, s'kanë qenë skuadra që mund ta kishin të lehtë. Për të përmendur dhe skuadrat e tjera siç janë skuadrat e forta, siç është skuadra e Gjermanisë. Skuadra e Gjermanisë gjithmonë ka kaluar grupet qoftë edhe me vështirësi, apo qoftë duke ditur edhe kualitetet që kanë patur më përpara për të kaluar me lehtësi, por kësaj radhe mendoj që ka ndjerë pak vështirësi që është e vërteta, sepse edhe në mënyrën e të luajturit trajneri ka ndryshuar diçka, ndoshta për të bërë një stil tjetër në futbollin gjerman me shumë pasime.
Por vështirësia që është e vërteta është ndjerë tek skuadra e Gjermanisë, por të shikojmë sepse gjithmonë motivi ndoshta me disa skuadra të vogla nuk është ashtu siç duhet për momentin për disa lojtarë që janë cilësorë. Për të përmendur është edhe skuadra e Brazilit.
Me lëvizjen e trajnerit Ancelotti, kuptohet Ancelotti do ta ketë pak të vështirë sepse nuk është se ka shumë kualitete të larta siç ka patur më përpara Brazili. Unë shikoj një mesfushë që ka lojtarë të mirë, por jo në nivele shumë të larta. Vuan shumë dhe në qendrën e mbrojtjes. Ka sulmues të mirë, të shpejtë, siç është edhe lideri i skuadrës Vinicius Junior, por që nuk mjafton ndoshta. Gjithsesi do t'ia lëmë kohës për të parë. Shikoj një Francë që është me reparte shumë e kompletuar që mendoj që më mirë se Franca nuk mund të jetë një skuadër tjetër.
Por kuptohet grupi nuk ka qenë, po them, shumë në shkallën e vështirësisë për të vuajtur francezët, apo siç është edhe Argjentina. Argjentina kampione, një fuqi me liderin historik Lionel Messi, i cili po vazhdon dhe po korr suksese me skuadrën e tij. Holanda ka bërë mirë, ka luajtur atë futbollin e bukur. Por si ashtu dhe Anglia, pra nuk është se kanë vuajtur shumë për ta kaluar këtë grup.
Është për të përmendur dhe skuadra e Egjiptit, faktikisht më ka pëlqyer, një skuadër shumë e organizuar që del mjaft mirë në fazën sulmuese. Apo qoftë dhe Portugali-Kolumbi që u vunë shumë në vështirësi, faktikisht Portugalia na u duk sikur do ta merrte kreun e grupit por që ndjeu shumë vështirësi ndaj një skuadre shumë të organizuar. Për të përmendur dhe Kroacinë. Kroacia që gjithmonë ka bërë një futboll të bukur, një futboll shumë argëtues, por kisha kohë pa parë një Kroaci me shumë grintë, me shumë forcë, që arriti të marrë dhe atë fitoren e duhur. F eliminohet, kështu që me doemos do duhet t'i marrin tre pikët sepse nuk do ketë më një shans të dytë.
Frika e Jugut me Kanadanë. Kanadaja vazhdon ëndrrën e saj drejt botërorit. Si e patë ndeshjen që ndoshta erdhi një fitore pra, pak me çështje fati duke qenë se goli erdhi pikërisht në minutën e 91-të? Mendoj që ishte një, një ndeshje e barabartë. Nuk mund të them që ishte një ndeshje shumë e bukur për t'u parë, por kuptohet për objektivat e tyre është, është më se normale që duhet të jenë të kënaqur pasi sepse kanë arritur dhe maksimumin.
Kuptohet ne presim diçka tjetër sidomos nga skuadrat më të njohura, por që kuptohet dhe këta kanë bukurinë e vet këto skuadrat e vogla të quajtura. Megjithatë, me vuajtje shumë e kaloi që është e vërteta, por që nuk mund të them që mund të jetë një surprizë për, për t'u kapur me, me forcën e skuadrave si Gjermania, Brazili, Argjentina, Holanda.
Nuk mendoj që e kanë potencialin këto për të vazhduar më tej. Sigurisht që do të kishin shanse disa skuadra të vogla për të kaluar dhe për të ardhur në këtë, në këto momente që po flasim pra, për të kaluar grupet sepse u shtuan shumë skuadra, 48 skuadra kështu që do ta kishin këtë shans, por që nuk mendoj që ky shans mund të, mund të vazhdojë shumë për Kanadanë.
Të them të drejtën, me shumë të drejtë e përmende Marokun. Marokun e pamë që në ndeshjen e parë me, me Brazilin, pra me një skuadër shumë të mirë si Brazili, por që e kisha bindjen që Maroku e ka treguar dhe më përpara forcën, grindën.
Janë lojtarë që janë shumë të organizuar, lojtarë që luajnë në bllok, lojtarë që, që zbresin mjaft mirë në fazën mbrojtëse por më pas sulmojnë mjaft mirë në kundërsulme. Një skuadër që nuk mendoj që ka një cilësi shumë të lartë, por mendoj forca e tyre, karakteri i tyre, duke luftuar në çdo duel, në çdo top, sidomos në duelet një kundër një, është pak e vështirë për, për të luajtur përballë Marokut.
Unë kam përshtypjen që skuadra e Marokut me forcën që ka, mendoj që do shkojë, do shkojë shumë larg. Por gjithmonë duke ditur se si do ia dalin me, me këto skuadra të mëdhaja, pra se skuadra e Holandës e shumë skuadra të tjera kanë, kanë diçka tjetër. Mundesh të kalosh grupin, por tani kuptohet duhet të mposhtësh emocionet, pra janë shumë të ngarkuara.

