Kryeprokurori Gashi zbulon planin e 100 ditëve të para: Fokus te korrupsioni, kr*mi i organizuar dhe siguria e qytetarëve

Kryeprokurori Gashi zbulon planin e 100 ditëve të para: Fokus te

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka prezantuar prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit të tij në krye të Prokurorit të Shtetit, duke vendosur në fokus rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Gjatë takimit të parë të kolegjiumit me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive në vend, të mbajtur në Prishtinë, Gashi ka theksuar nevojën për veprime të menjëhershme në trajtimin e rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave të tjera të rënda penale.

Ndër prioritetet e paraqitura janë zhvillimi i hetimeve financiare krahas hetimeve penale për korrupsionin e nivelit të lartë, shpëlarjen e parave dhe rastet e krimit të organizuar.

Gashi ka përmendur gjithashtu luftimin e armëmbajtjes pa leje, trafikimit të narkotikëve, mbrojtjen e pronës së qytetarëve, sigurinë ekonomike dhe juridike, si dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

Në fokus të mandatit të tij do të jetë edhe mbrojtja e integritetit të hetimeve, të dhënave personale dhe një politikë më rigoroze ndëshkimore ndaj personave që rrezikojnë sigurinë në trafik.

Një tjetër masë e paralajmëruar nga kryeprokurori është krijimi i një mekanizmi mbikëqyrës brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili do të analizojë cilësinë e aktakuzave, vendimet gjyqësore, dështimet procedurale dhe vërejtjet e gjykatave.

Gashi ka bërë të ditur edhe synimin për krijimin e një mekanizmi të brendshëm për mbrojtjen e prokurorëve në rastet kur ata pretendojnë se janë sulmuar padrejtësisht gjatë ushtrimit të detyrës.

“Këto çështje synojnë rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kryeprokurori u ka kërkuar prokurorive në vend që të hartojnë plane konkrete për trajtimin e prioriteteve të përcaktuara dhe të raportojnë për gjendjen e lëndëve, veçanërisht atyre me interes të lartë publik.

 

EMISIONET