Shuhet një prej zërave më të rëndësishëm të shkencave sportive/ Ndërron jetë Artan Pogoni në moshën 54-vjeçare

Shuhet një prej zërave më të rëndësishëm

Sporti shqiptar ka humbur një nga emrat e njohur të fushës akademike dhe shkencore. Artan Pogoni, profesor universitar dhe Doktor i Shkencave, është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare.

Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.

Pogoni kishte ndërtuar një karrierë të gjatë në fushën e shkencave sportive, ku u angazhua në kërkimin shkencor, mësimdhënie dhe zhvillimin e metodologjive të trajnimit sportiv.

Ai ishte i pajisur me katër diploma universitare dhe kishte një formim të gjerë akademik, duke kontribuar veçanërisht në fushën e rekreacionit sportiv, stërvitjes dhe volejbollit.

Gjatë karrierës së tij, Artan Pogoni la pas një trashëgimi të rëndësishme në edukimin sportiv. Ai është autor i 12 botimeve akademike dhe dy teksteve mësimore, të përdorura si materiale referimi për studentët dhe profesionistët e sportit.

Puna e tij kërkimore dhe kontributi në shkencat sportive e vendosën atë ndër figurat që kanë ndihmuar në zhvillimin e bazës teorike dhe praktike të sportit në Shqipëri.

EMISIONET