Suri Cruise heq dorë nga mbiemri i Tom Cruise, merr emrin e dytë të nënës së saj. Ja arsyeja që ndikoi në këtë zgjedhje

Suri Cruise, vajza e vetme e aktorit të njohur të Hollivudit Tom Cruise dhe aktores Katie Holmes, ka hequr dorë nga mbiemri i të atit dhe ka zgjedhur një identitet të ri ligjor. Sipas mediave amerikane, 19-vjeçarja tashmë prezantohet si Suri Noelle, duke përdorur emrin e dytë të nënës së saj.
Vendimi vjen disa vite pas divorcit të Tom Cruise dhe Katie Holmes në vitin 2012.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, aktori ka pasur një prani të kufizuar në jetën e së bijës pas ndarjes nga Holmes.
Emri “Noelle” lidhet me Katie Holmes, e cila e ka përdorur si emër të dytë. Ndryshimi i mbiemrit shihet si një zgjedhje personale e Surit, e cila është rritur në Nju Jork nën kujdesin e nënës së saj.
Suri po ndjek studimet në Carnegie Mellon University në Pittsburgh, ku është regjistruar në School of Drama dhe po studion teatër muzikor, duke ndjekur një rrugë të ndryshme nga karriera e famshme e babait të saj në kinematografi.
Ky rast vjen pas disa ndryshimeve të ngjashme në familje të tjera të famshme të Hollivudit. Edhe disa nga fëmijët e aktorit Brad Pitt dhe aktores Angelina Jolie kanë nisur procedurat për të përdorur mbiemrin e nënës së tyre.


