Honda rikthen idenë e Accord Crosstour/ Modeli i ri mund të vijë si hibrid me performancë të lartë

Honda rikthen idenë e Accord Crosstour/ Modeli i ri mund të vijë

Honda mund të rikthejë një koncept të vjetër me një model të ri të bazuar në Accord, këtë herë me një konfigurim më të lartë dhe teknologji hibride.

Pas rishikimit të planeve për automjetet elektrike, prodhuesi japonez pritet të përqendrohet më shumë te hibridet dhe planifikon investime të mëdha për lançimin e modeleve të reja deri në fund të dekadës.

Sipas një raporti të “Automotive News”, duke cituar burime pranë kompanisë, Honda po shqyrton zhvillimin e një versioni hatchback të ngritur të Accord, i cili mund të hyjë në prodhim rreth vitit 2029 në fabrikën e kompanisë në Marysville, Ohio.

Modeli i ri pritet të përdorë gjeneratën e ardhshme të sistemit hibrid të Hondës, i cili do të aplikohet edhe në modele të tjera si Civic, CR-V dhe Accord-in e përditësuar.

Një automjet i tillë do të rikthente në skenë frymën e Accord Crosstour, modelit të vitit 2010 që kombinonte tiparet e një sedani me ato të një crossover-i. Crosstour ofronte hapësirë më të madhe dhe mundësi me motorë me katër dhe gjashtë cilindra, por nuk arriti suksesin e pritshëm në treg dhe prodhimi u ndërpre në vitin 2015.

Një Accord i ri i ngritur do t’i jepte Hondës një alternativë ndaj modeleve si Toyota Crown dhe crossover-ëve tradicionalë, duke synuar blerësit që kërkojnë më shumë hapësirë dhe praktikë, por pa kaluar në një SUV të plotë.

Honda ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht rikthimin e Crosstour, por një model i tillë do të ishte një mënyrë më ekonomike për të zgjeruar gamën e saj duke përdorur platforma ekzistuese.

EMISIONET