"Pas 58 ditësh rezistencë, protestat humbin ritmin"/ Maho: Kauza rrezikon të shuhet pa një strategji të re
Pas 58 ditësh protestash, lëvizja qytetare po përballet me një rënie të pjesëmarrjes dhe me sfida të reja për vijimësinë e saj. Temperaturat e larta të verës dhe mungesa e një fokusi të qartë janë disa nga faktorët që po ndikojnë në ritmin e protestave.
Për situatën ka folur analisti Armand Maho, i ftuar në një lidhje direkte për Ora News, i cili ka analizuar ecurinë e lëvizjes dhe vështirësitë me të cilat përballet pas më shumë se dy muajsh rezistencë.
Sipas Mahos, protestat paqësore nuk mjaftojnë për të sjellë një ndryshim politik, ndërsa vijimi i tyre deri në muajin shtator shihet si një tregues i qëndrueshmërisë së lëvizjes, pavarësisht pengesave.
"Unë nuk pres që me protesta paqësore Edi Rama të japë dorëheqjen. Nuk është nga ata politikanë që edhe kur përballet me akuza apo skandale, largohet nga pushteti. Por fakti që kjo lëvizje ka vijuar për 58 ditë është diçka e rëndësishme, sepse gjatë verës është e kuptueshme që të ketë një rënie të pjesëmarrjes."-tha analisti.
Muajt e verës kanë ndikuar në numrin e qytetarëve që marrin pjesë në protesta, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta. Sipas analizës së Mahos, edhe ata që kanë qenë pjesë e protestave të përditshme mund të kenë ulur ritmin për shkak të lodhjes dhe kushteve të vështira atmosferike.
"Temperaturat janë tërësisht në disfavor. Në ditët kur protestuesit kanë dalë përpara Parlamentit kanë qenë temperatura shumë të larta. Edhe njerëzit lëvizin, edhe ata që kanë qenë çdo ditë në protestë fillojnë ta rrallojnë pjesëmarrjen. Nëse kjo lëvizje vazhdon deri në shtator, për mua është një rezultat pozitiv."-shtoi ai.
Megjithatë, sipas analistit, problemi kryesor nuk lidhet vetëm me kushtet atmosferike, por me mungesën e një objektivi të qartë të protestës.
Ai vlerëson se lëvizja duhet të rikthejë fokusin dhe të përcaktojë qartë kërkesat e saj.
Maho shprehet se përballë kësaj situate, roli i opozitës mund të jetë vendimtar, jo vetëm për rritjen e pjesëmarrjes në protesta, por edhe për krijimin e një mbështetjeje më të gjerë politike dhe ndërkombëtare.
Sipas tij, pa një bashkëpunim më konkret dhe një strategji të qartë, protesta rrezikon të humbasë energjinë e krijuar në javët e para.


