Zbrazja e fshatrave dhe shkollave shqiptare/ Halilaj: Arsimi në Shqipëri nuk është në ditë të mirë, buxheti duhet të shkojë në 5% të PBB-së

Zbrazja e fshatrave dhe shkollave shqiptare/ Halilaj: Arsimi në

I ftuar në studion e lajmeve të “Ora News”, Zëvendëspresidenti i Sindikatës së Mësuesve, Isa Halilaj, theksoi situata e vështirë në të cilën gjendet arsimi në Shqipëri. Ndërsa duket si sezon pushimesh, për mësuesit mbizotëron ankthi për vendet e tyre të punës në shtator, një pasojë direkte e rënies së numrit të nxënësve.

Halilaj vuri në dukje se arsimi nuk është në gjendje të mirë dhe fajësoi kryesisht buxhetin e ulët.

Sipas Ministrisë së Arsimit, buxheti aktualisht është rreth 3.4% e GDP-së, një shifër që sindikata e konsideron të pamjaftueshme. Sindikata ka kërkuar një rritje graduale të buxhetit në 5% të GDP-së brenda dy-tre viteve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, për të përgatitur vendin për integrimin evropian.

Ndërhyrja në buxhet u theksua edhe nga presidenti i Sindikatave të Evropës gjatë një tryeze të rrumbullakët në Tiranë, si një nevojë urgjente për të krijuar një arsim cilësor që do të frenonte emigracionin dhe do të inkurajonte kthimin e atyre që janë larguar.

Sipas Halilajt, mungesa e shkollave dhe niveli i ulët i arsimit në zonat rurale janë faktorët kryesorë që i shtyjnë familjet shqiptare të emigrojnë. Ai theksoi se shumë shkolla në fshatra po mbyllen ose po kalojnë në klasa kolektive. Për më tepër, ai vuri në dukje një "dy-standardizim" të arsimit, me investime të përqendruara në qendrat e qyteteve, ndërsa fshatrat mbeten pas. Situata është alarmante, siç tregojnë të dhënat e përmendura nga Halilaj. Parashikohet që në vitin 2030, e gjithë Korça do të ketë vetëm shtatë klasa të para, ndërsa në Leskovik, para dy vitesh, pati vetëm dy nxënës në klasën e parë.

Këto shifra dëshmojnë për një rënie drastike të popullsisë dhe nxënësve në shumë zona të vendit. Kjo situatë nxjerr në pah nevojën urgjente për të adresuar problemet e arsimit në Shqipëri, për të siguruar një standard të njëjtë cilësor si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale, për të ndalur zbrazjen e vendit dhe për t'i dhënë shpresë brezave të rinj.

"Në fakt duket sikur është sezon pushimesh për mësuesinë e për shkollat, por në fakt puna vazhdon sepse ankthi i mësuesve për një vend pune në shtator vazhdon të jetë për shkak të rënies së numrit të nxënësve, ashtu vazhdojnë edhe provimet e portaleve ë mësuesia për të filluar diku një vend punën në arsim, por ne kemi bërë vazhdimisht publike qëndrimet tona në raport dhe gjendjen e arsimit.

Nuk është në ditë të mirë arsimi sot në Shqipëri dhe nuk ka nevojë që të filozofosh dhe të japësh shumë argumenta, mjafton vetëm buxheti. Pra me një buxhet të tillë, ku Ministria e Arsimit deklaron që është diku te 3.4% e GDP-së dhe por në fakt nuk është aq, ne kemi kërkuar që në mënyrë të përshkallëzuar të paktën brenda dy- tre viteve buxheti për arsimin do shkojë në 5%, 5%, 5% e GVP-së, ashtu sikur e kanë vendet e Bashkimit Europian.

Në qoftë se ne sot themi që firmosëm filan kapitull, miratuam këtë kapitull ose kjo dhe jemi gati për Bashkimin Europian është handikap që të mendojmë që arsimi është i gatshëm për Bashkimin Europian me një buxhet të tillë.

Ne kemi lobuar dhe në muajin maj bashkë me sindikatat europiane organizuam një tryezë të rrumbullakët në Tiranë dhe vetë presidenti i Sindikatave të Evropës deklaroi publikisht që këtu duhet një ndërhyrje e fortë në buxhet, me mundësi që të krijojnë shpresë për brezat e rinj për një arsim cilësor, që t'i jepet mundësia edhe atyre që janë në emigracion, të kthehen në vendin e tyre dhe ta ndërtojnë, sepse Shqipëria rishtazi është vërtetë, është një ndër vendet më të bukura të Bashkimit Europian"-u shpreh ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET