Aksident i rëndë në aksin Pushimi i Shoferit-Fier Shegan, makina përfundon në kanal pas parakalimit të gabuar

Një aksident i rëndë është regjistruar në aksin rrugor nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, pasi njëri prej tyre, me targa greke, dyshohet se ka tentuar të kryejë një parakalim të gabuar të një mjeti me targa italiane.
Si pasojë e manovrës së rrezikshme, automjeti me targa italiane ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Në mjet udhëtonin tre persona, një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me dy ambulanca.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë, të cilët po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e aksidentit dhe po menaxhojnë qarkullimin e automjeteve.
Ky aks rrugor është konsideruar prej kohësh problematik për shkak të gjerësisë së kufizuar, ndërsa përballon një volum të lartë trafiku, duke u kthyer shpesh në skenë të aksidenteve.


