SHBA rrit presionin ndaj Moskës/ Senati avancon paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë

Senati i Shteteve të Bashkuara ka bërë një hap përpara drejt miratimit të një pakete të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe Iranit, me synim rritjen e presionit ekonomik ndaj Moskës.
Sipas raportimeve të Bloomberg, senatorët amerikanë kanë arritur një marrëveshje për një projektligj që i jep presidentit Donald Trump kompetenca për të vendosur tarifa të larta ndaj mallrave ruse.
Në bazë të propozimit, administrata amerikane do të ketë mundësinë të vendosë tarifa deri në 500 për qind ndaj importeve nga Rusia. Gjithashtu, parashikohen tarifa shtesë prej 100 për qind ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë, gaz apo burime të tjera energjetike ruse.
Burime të cituara nga Bloomberg bëjnë të ditur se Senati mund ta miratojë projektligjin gjatë kësaj jave, ndërsa zbatimi i tij pritet të shtyhet për shkak të pushimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nuk pritet të nisë para muajit shtator.
Masat e propozuara synojnë të kufizojnë të ardhurat e Rusisë nga eksportet energjetike dhe të penalizojnë vendet që vijojnë marrëdhëniet tregtare me Moskën, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.
Projektligji vjen në një kohë kur Uashingtoni po kërkon mënyra të reja për të shtuar presionin ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe politikave të saj ndërkombëtare.


