Ramaj: Protesta s’është politike, qytetarët janë lodhur! Ndarja që u bën politika thjesht rrit zemërimin

I ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, avokati Redi Ramaj u shpreh se protesta që po zhvillohet prej javësh dallon nga protestat tradicionale politike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar të natyrshëm dhe të paorientuar nga forcat politike.

Sipas Ramajt, ndryshe nga protestat e së kaluarës, të cilat shpesh janë perceptuar si të nxitura politikisht, kjo lëvizje ka sjellë në shesh një pjesëmarrje të gjerë qytetare, ku përfshihen të rinj, pensionistë dhe familje me fëmijë. Ai theksoi se angazhimi i të rinjve në protestë është një sinjal pozitiv, pasi tregon se një brez që deri më tani shihej si indiferent ndaj politikës ka vendosur të reagojë dhe të kërkojë ndryshim.

"Ne kemi parë protesta politike boll në Shqipëri dhe shqiptarët janë lodhur me to. Por ky është një rast specifik, ku rinia tregoi se ka interesa dhe dëshiron të përfshihet në politikë", deklaroi Rama.

Avokati vlerësoi se kauzat për të cilat protestohet janë të drejta dhe se etiketimi i protestuesve nga politika si "të mirë" apo "të këqij" vetëm sa rrit zemërimin qytetar. Sipas tij, politika ka dështuar prej vitesh të dëgjojë qytetarët dhe për këtë arsye kërkesa për dialog tashmë ka humbur kuptimin.

Në përfundim, Ramaj u shpreh se qytetarët kanë humbur besimin tek diskutimi politik, ndërsa shtoi se, sipas tij, dorëheqja mbetet e vetmja rrugë për të adresuar situatën aktuale.

Redi Ramaj: Deri diku e balancuar pra e ndarë nga sensi për të favorizuar dikë apo dikë tjetër. Ne kemi parë protesta politike boll në Shqipëri, pra janë lodhur shqiptarët me këtë lloj protestash, të cilat nuk janë krejt spontane ose natyrale, janë protesta të nxitura. Por në këtë rast është besoj se është tjetër gjë.

Ne kemi diskutuar shumë shpesh rastet e disa lloj protestave të ngjashme, pra armët kimike ose raste të tjera, po ky është një rast specifik kur rinia, që u përmend këtu, një brez i cili konsiderohej që nuk kishte interes për politikën, që nuk donte t'ia dinte fare për politikën, tregoi që kishte interesa, do të merret me politikë. Ka disa perspektiva ose pritshmëri të mira për veten e tij. Kështu që duke parë njerëzit që dalin në protestë, duke parë balancimin që ju e thatë, të ndarjes nga politika e vjetër, kjo është një fjalë e madhe po disa e kanë shprehur aty, të paktën me pankarta apo me thirrje, tregon që realisht kauzat për të cilën njerëzit protestojnë janë të drejta.

Dhe këtë e kam parë përditë, sepse dalin pensionistë, dalin të rinj, dalin njerëz me fëmijë të vegjël në atë protestë, që do të thotë që nuk janë të nxitur nga askush për të qenë aty prezent. Dhe fakti që politika i ndan apo i etiketon duke i thënë disa janë të mirë, disa janë të këqij, është tërësisht e gabuar.

Rrit zemërimin qytetar mendoj unë. E kundërta duhet të ndodhi. Nëse ti ke arritur në pikën maksimale ku politika nuk i ka dëgjuar për shumë vite shqiptarët, mbase për 36 vite, nuk mund t'i thuash sot hajde në tryezë. Nuk ka më tryezë, nuk ka më diskutim. Diskutimi është me largim, dorëheqja është e vetmja formë.

PER ME SHUME NDIQNI EMISIONIN LIVE

EMISIONET