Holandë, disa hekurudha ndërpresin punën për shkak të mbinxehjes së kanalit të kabllove

Shërbimet hekurudhore mes Roterdamit dhe destinacioneve në jug të Holandës u pezulluan të hënën për shkak të mbinxehjes në një kanal kabllor, gjë që shkaktoi probleme në sistemin e sinjalizimit dhe ndërrimit të shinave, njoftoi menaxhuesi i infrastrukturës hekurudhore ProRail.
Incidenti ndodhi pranë stacionit Rotterdam Stadion, ku kabllot filluan të nxirrnin tym, duke ndërprerë trafikun hekurudhor në linjat që lidhin Roterdamin me qytete përfshirë Dordrehtin dhe Bredën, sipas transmetuesit NOS.
Operatori hekurudhor holandez NS tha se një numër i kufizuar autobusësh zëvendësues po vendosen mes Roterdamit dhe Dordrehtit, si dhe mes Roterdamit dhe Zwijndrechtit. ProRail tha se riparimet pritet të vazhdojnë edhe pas përfundimit të orarit të së hënës, ndërsa ekipet po punojnë për të zëvendësuar 299 kabllo të dëmtuara në kanalin e prekur.
Ndërprerja pritet të vazhdojë deri të martën në mëngjes, duke ndikuar si në shërbimet e brendshme, ashtu edhe në lidhjen Eurostar me Brukselin.
Pesë trena mbetën të ndalur pas defektit, por arritën të vazhdonin udhëtimin me fuqinë e tyre, pasi furnizimi me energji elektrike në linjat ajrore mbeti funksional. Shkaku i mbinxehjes ende nuk është përcaktuar.
ProRail tha se po zhvillohet një hetim së bashku me një kontraktor. Holanda është ndër vendet e prekura nga vala e të nxehtit në Evropë, ku temperaturat arritën në 38 gradë Celsius javën e kaluar.

