Kr*mi në familje për një copë tokë/ Dhamo: Kur institucionet nuk ndërhyjnë, individët i drejtohen dh*nës dhe vetëgjyqësisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Agonas të Kavajës, ku një 76-vjeçar dyshohet se ka plagosur me mjet prerës vëllain e tij, i cili ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital.

Për të folur më tepër rreth fenomenit të vetëgjyqësisë në familje ishte sociologia Eris Dhamo, e cila u shpreh se akte të tilla ekstreme nuk ndodhin rastësisht apo në gjaknxehtësi e sipër.

Ato janë rezultat i një akumulimi të gjatë mosmarrëveshjesh dhe konfliktesh që shpesh zgjasin me muaj apo edhe vite. Megjithatë, ajo që e bën situatën edhe më alarmante është dështimi total i hallkave parandaluese. Institucionet e mandatuara për të ndërhyrë, duke filluar nga policimi në komunitet, punonjësit psikosocialë e deri tek njësitë e qeverisjes vendore, refuzojnë të veprojnë në kohë për të shuar këto shkëndija para se të kthehen në tragjedi.

"Janë këto dhe më shumë se këto. Dhe kur them janë këto dhe më shumë se këto, ne nuk duhet ta konsiderojmë më krimin në familje një çështje private të asaj familje.

Vjen si rezultat i një strukture të dëmtuar, do të thosha unë, sociale dhe institucionale, po edhe politike. Janë të gjithë faktorët në nivelin dhe në rrafshin individual.

Kemi të bëjmë me individë të cilët, përpos moshës, mosha në të cilën ishte rasti i fundit është një moshë e cila karakterizohet, si me thënë kështu, nga urtësia dhe mençuria. Përpos moshës, kemi të bëjmë me dy individë të cilët kanë një lidhje shumë të afërt gjaku, janë të dy vëllezër.

Dhe ajo që do të thosha unë, nuk e di në detaje rastin, por nisur nga rastet e mëtejshme, vjen për shkak të një kulture që kanë individët për t'iu drejtuar dhunës.

Po, sepse ne nuk jemi të edukuar për forma alternative, as nuk kemi institucione të cilat të ndërmjetësojnë këto debatet ose këto konflikte të cilat, më vjen keq të them po nuk është ky momenti që ka ndodhur.

Është një akumulim dhe një mosmarrëveshje prej kohësh. Nuk di rastin specifik, por historikisht në vendin tonë kur kanë ndodhur probleme, kanë ndodhur sepse individët në fakt kanë qenë prej të paktën muajsh, në mos vite, në diskutime dhe debate të ashpra dhe në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. Dhe as komuniteti prezencë, as policimi në komunitet, as punonjësit psikosocialë të njësive të qeverisjes vendore, as institucionet ose individët të cilët janë mandatuar për të parandaluar këto lloj situatash, nuk janë aty për të kryer funksionet e tyre, ndaj kemi tashmë zgjidhje problemesh në këtë vetëgjyqësi do të thosha unë, dhe në këtë format, dhe të trajtojmë pasojat e problemit sesa ta parandalojmë atë", u shpreh Dhamo.

Ndiqni intervistën e plotë:

EMISIONET