Shallari: Integrimi në BE do të sjellë standarde të reja për bujqësinë shqiptare

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Seit Shallari, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, foli për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ndikimin që ai do të ketë në sektorin e bujqësisë.
Gjatë intervistës, Shallari theksoi se anëtarësimi në BE do ta bëjë Shqipërinë pjesë të një familjeje të madhe evropiane, ku çdo sektor i ekonomisë duhet t’u përshtatet standardeve të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Sipas tij, bujqësia është një nga kapitujt më të rëndësishëm të negociatave për anëtarësim, i lidhur ngushtë me mjedisin, sigurinë ushqimore dhe peshkimin. Ai nënvizoi se procesi i përafrimit me standardet evropiane ka nisur prej kohësh, por do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm edhe pas anëtarësimit të vendit në BE.

