Shallari: UBT po ofron programe të reja studimi të orientuara drejt bujqësisë digjitale dhe zhvillimit të qëndrueshëm

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Seit Shallari, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, prezantoi programet e reja të studimit që ofron Universiteti Bujqësor i Tiranës, të konceptuara për t’iu përgjigjur nevojave të tregut të punës dhe sfidave të integrimit evropian.
Sipas Shallarit, një nga programet më të reja është ai i Bachelorit në Shkenca Bujqësore dhe Siguri Ushqimore, i cili synon të përgatisë specialistë modernë të fermës, të aftë jo vetëm në aspektin teknik të prodhimit bujqësor, por edhe në menaxhim, marketing dhe zhvillim biznesi.
Ai veçoi gjithashtu programin për Teknologjinë e Informacionit dhe Robotikën në Bujqësi, i cili vazhdon edhe në nivel master me fokus te bujqësia digjitale.
Sipas tij, profesionistët që zotërojnë teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe robotikën në bujqësi do të jenë ndër më të kërkuarit në vitet e ardhshme.
Shallari theksoi se të katër programet e reja janë ndërtuar mbi një model multidisiplinor, ku shkencat natyrore, ekonomike, profesionale dhe ato të specialitetit zënë peshë të barabartë në formimin e studentëve.


