Integrimi në BE, Huqi: Shqipëria duhet të fokusohet te produktet ku ka avantazh

Fatos Huqi, asistent lektor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, foli për mundësitë që ka bujqësia shqiptare për t’u bërë më konkurruese në tregun e Bashkimit Evropian.
Sipas Huqit, Shqipëria duhet të fokusohet te produktet ku ka avantazhe natyrore dhe mund të ofrojë vlerë të shtuar në tregjet evropiane.
Ai theksoi se pozicioni gjeografik, klima e favorshme dhe kushtet natyrore krijojnë mundësi të mira për zhvillimin e bujqësisë moderne.
Ai vlerësoi gjithashtu potencialin e madh që ka vendi në prodhimin e bimëve medicinale dhe aromatike, një sektor që sipas tij mbështetet te biodiversiteti i pasur shqiptar dhe që ka fituar rëndësi në tregjet ndërkombëtare.
Një tjetër produkt me perspektivë për eksport, sipas Huqit, janë verërat shqiptare. Ai theksoi se vitet e fundit verërat “Made in Albania” kanë njohur zhvillim të ndjeshëm, duke përmirësuar cilësinë dhe duke siguruar prezencë gjithnjë e më të madhe në tregun evropian.


