Sema: Shqipëria duhet të përdorë teknologjinë për mbrojtjen e burimeve ujore

Xhulio Sema, asistent lektor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, foli për rëndësinë e menaxhimit të burimeve ujore dhe rolin e teknologjisë në përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Sema bëri të ditur se aktualisht po zhvillohen studime doktorature në bashkëpunim me universitete në Gjermani dhe me Universitetin BOKU të Vjenës, me fokus te menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve ujore.
Sipas tij, po implementohet një model teknologjik i përdorur në Gjermani, Austri dhe Luksemburg, i cili synon të përdoret edhe në Shqipëri për menaxhimin e cilësisë së ujërave dhe baseneve ujore.
Ai theksoi se qëllimi i këtij projekti është krijimi i një pasqyre të plotë mbi burimet e ndotjes, për të mundësuar një menaxhim më efikas të baseneve lumore dhe një përdorim më të qëndrueshëm të ujit.
Sipas tij, ky proces lidhet drejtpërdrejt me kërkesat që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të integrimit evropian, veçanërisht sa i përket kapitullit 27 për mjedisin.


