Integrimi në BE, UBT forcon programet për bujqësinë e së ardhmes

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Seit Shallari, i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, foli për zhvillimet e reja në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe rolin që institucioni do të luajë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Shallari bëri të ditur se UBT ka shtuar programe të reja studimi, të orientuara drejt nevojave të reja të tregut dhe zhvillimeve teknologjike në bujqësi.
Një prej tyre është programi Bachelor në Shkencat Bujqësore dhe Sigurinë e Ushqimit, i cili synon të formojë specialistë me njohuri të gjera për menaxhimin e fermës.
Sipas tij, universiteti po zhvillon një bashkëpunim të ngushtë me institucione prestigjioze evropiane, veçanërisht me universitetin austriak BOKU, përmes një partneriteti që shkon përtej një marrëveshjeje të zakonshme akademike.
Ai theksoi se Universiteti Bujqësor duhet të shihet jo vetëm si një institucion që lidhet me bujqësinë tradicionale, por si një qendër dijeje, kërkimi, transferimi teknologjie dhe trajnimi të vazhdueshëm për nevojat e vendit.


