Rama në Gdańsk/ Takim me kryeministren ukrainase për rindërtimin e vendit nga goditjet ruse
Kryeministri Edi Rama është takuar në Gdańsk të Polonisë me Kryeministren e Ukrainës, Yuliia Svyrydenko, në kuadër të Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës.
Takimi u zhvillua në fokus të bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjes për procesin e rindërtimit të vendit pas luftës, si dhe perspektivës së tij europiane.
Gjatë diskutimeve, palët trajtuan mundësitë për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Ukrainës, me theks në mbështetjen politike dhe institucionale në procesin e integrimit europian të Kievit.
U fol gjithashtu për nevojën e koordinimit më të ngushtë mes vendeve partnere në kuadër të nismave ndërkombëtare për rindërtimin e Ukrainës, si dhe për rolin që vendet e rajonit mund të luajnë në këtë proces.
Takimi u zhvillua në një moment kur vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te rimëkëmbja e Ukrainës dhe garantimi i stabilitetit afatgjatë në rajon.


