“Perez mund t’i kursejë vetes çdo përpjekje për Olise”, Bayern lëshon paralajmërimin e radhës për Real Madrid

Zërat e shumtë të kohëve të fundit për një interesim të mundshëm të Real Madridit mbi Michael Olise, kanë detyruar presidentin e Bayern Munich, Herbert Hainer, të reagojë dhe njëherë tjetër për këtë çështje, duke shuar njëherë e mirë të gjitha thashethemet e fundit.
"Siç e thashë më parë, nëse presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, e kishte këtë ofertë (ofertën e famshme 150 mln euro) në mendje për Olise, ai mund t’i kursente vetes telashe sepse ne nuk duam ta shesim Michaelin.
Si Bayern Munich, ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Real Madridin dhe si rezultat, ata më kontaktuan për të thënë se, së pari, ata nuk kanë absolutisht asnjë kontakt me Michael Olise dhe, së dyti, nuk duan këto spekulime të vazhdueshme në media.
Bayern nuk është një klub që shet", tha presidenti i bavarezëve në një intervistë për gazetën e përditshme gjermane, Abendzeitung.
