Finalja epike e Nju-Jorkut, 10 gjërat që duhet të dini para sfidës Spanjë-Argjentinë

Finalja epike e Nju-Jorkut, 10 gjërat që duhet të dini para

Pesë javë pas fillimit të turneut më të madh të futbollit në histori, ka ardhur koha për ditën që miliarda njerëz anembanë botës kanë pritur, finalen e Madhe të Kupës së Botës FIFA 2026.

Spanja, kampionët e Evropës, do të përballen me kampionët në fuqi të botës, Argjentinën, në një përplasje titanësh që do të mbetet në histori.

Për Spanjën, ky është hapi i fundit në kërkim të titullit të tyre të dytë botëror, 16 vjet pas triumfit të tyre të parë, ndërsa Argjentina kërkon të bëhet kombëtarja e tretë në histori që fiton dy Kupa Bote radhazi.

Këto janë 10 gjërat kryesore që duhet të dini përpara finales së të dielës në Nju Jork:

1. Deja vu: Messi dhe Yamal takohen sërish pas dy dekadash

Në momentin që Argjentina siguroi finalen ndaj Spanjës, rrjetet sociale u përmbytën sërish me foton tashmë virale të Messi-it në moshë të re duke larë foshnjën Lamine Yamal gjatë një reklame televizive. Fillimisht, shumë menduan se ishte një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale, por ajo është plotësisht reale dhe daton në shtator të vitit 2007, gjatë një xhirimi bamirësie të UNICEF-it në stadiumin Camp Nou të Barcelonës. Sot, pothuajse dy dekada më pas, Messi dhe Yamal përballen me njëri-tjetrin në një sfidë brezash.

2. A do të marrë pjesë Donald Trump në finale?

Po. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në finalen e së dielës- pjesëmarrja e tij e parë në këtë turne. Ai do të dorëzojë trofeun së bashku me Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për kapitenin e skuadrës fituese. Fituesit e Kupës së Botës do të marrin gjithashtu një unazë kampionati, një traditë kjo e sporteve amerikane. Pjesëmarrja e tij vjen pas një vendimi kontrovers ku Trump ndërhyri personalisht që FIFA të anulonte pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun në çerekfinale.

3. Supersticioni në parë: Presidenti argjentinas Milei nuk merr pjesë

Ndonëse është praktikë e zakonshme që krerët e shteteve të ndjekin finalen, Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka vendosur të mos udhëtojë drejt Nju-Xhersit për shkak të supersticionit (e njohur si "cábala" në Amerikën Latine). Ai do ta ndjekë ndeshjen në televizor nga rezidenca e tij presidenciale, saktësisht siç bëri në shtatë ndeshjet e kaluara të Argjentinës, duke veshur të njëjtën xhaketë.

4. Tymi i zjarreve në Kanada mbulon Nju-Jorkun

Tymi nga zjarret masive pyjore në Kanada ka mbuluar një pjesë të madhe të verilindjes së SHBA-së, duke aktivizuar alarme shëndetësore. Megjithatë, një front i ftohtë që pritet gjatë fundjavës parashikohet të pastrojë mjegullën e rrezikshme pikërisht në kohë për finalen. Mbi 80,000 njerëz priten në stadiumin e Nju Jork-Nju Xhersit, ndërsa 50,000 të tjerë do ta ndjekin nga Central Park në Manhattan.

5. Finalja e Kupës së Botës: Ngjarja sportive më e shtrenjtë në historinë e SHBA

Çmimi më i lirë i një bilete për finalen Spanjë-Argjentinë ka arritur në 7,595 dollarë, duke shënuar një rritje prej 10% në ditët e fundit. Sipas platformës TickPick, çmimi mesatar i blerjes së një bilete është plot 11,327 dollarë, duke kaluar kështu çdo rekord të mëparshëm historik në sportet amerikane, përfshirë Super Bowl të NFL dhe finalet e NBA.

6. Shfaqje gjatë pjesës së parë në stilin e "Super Bowl"

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, finalja do të ketë një shfaqje muzikore në pjesën e parë (Halftime Show), e frymëzuar nga modeli amerikan. Një festë e madhe pop do të ndezë Nju-Jorkun me performanca nga yje si Madonna, Justin Bieber, Shakira, BTS, Burna Boy, Coldplay dhe të tjerë. Pjesa e parë do të zgjasë deri në 30 minuta për të mundësuar këtë shfaqje 11-minutëshe. Ndërkohë, në ceremoni do të përfshihen edhe emra si Tom Cruise e Robbie Williams.

7. Shpërblime financiare rekord

FIFA ka njoftuar një fond rekord shpërblimesh prej 727 milionë dollarësh për këtë Botëror – një rritje prej 50% krahasuar me Katar 2026. Skuadra që do të shpallet Kampione e Botës do të marrë në shtëpi 50 milionë dollarë, ndërsa vendi i dytë do të sigurojë 33 milionë dollarë.

8. Trofeu vjen me një kuti "Louis Vuitton"

Ashtu si në katër finalet e fundit, trofeu i artë i Kupës së Botës do të transportohet në stadium brenda një kuti luksoze të krijuar posaçërisht nga shtëpia prestigjoze franceze e modës, Louis Vuitton. Kutia mban shkronjën e artë “V” që simbolizon "Victory" (Fitore) dhe "Vuitton".

9. Lufta për "Këpucën e Artë" dhe çmimet individuale

Përveç trofeut të madh skuadror, lojtarët do të ndajnë edhe pesë çmime zyrtare individuale. Lionel Messi aktualisht udhëheq garën për "Këpucën e Artë" si golashënuesi më i mirë, i ndjekur nga Kylian Mbappe i Francës (i cili luan në ndeshjen për vendin e tretë). Gjithashtu do të ndahen edhe "Topi i Artë" për lojtarin më të mirë dhe "Doreza e Artë" për portierin më të mirë.

Finalja e madhe e Kupës së Botës do të gjykohet nga arbitri slloven Slavko Vinçiç. Ai do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij Tomasz Klançnik dhe Andraz Kovaçiç, ndërsa dyshja jordaneze Adham Makhadmeh dhe Mohammad Alkalaf do të jenë në rolin e arbitrit të katërt dhe ndihmësit rezervë. 

EMISIONET