Skandal me biletat e Botërorit 2026/ FIFA përballet me gjykatën, akuzohet për praktika jo transparente

FIFA është përfshirë në një përplasje ligjore për mënyrën e shitjes së biletave për Kupën e Botës 2026, pasi një gjykatë në Gjermani ka vendosur kufizime ndaj disa praktikave të përdorura nga organizatori i futbollit botëror.
Gjykata Rajonale e Frankfurtit ka nxjerrë një urdhër ndalimi ndaj FIFA-s, duke e detyruar të ndërpresë disa procedura të shitjes së biletave që, sipas ankesave, cenonin interesat e konsumatorëve në Gjermani.
Procedurat ligjore nisën pas kërkesës së platformës së biletave Ticombo, e cila ngriti shqetësime për mungesën e transparencës në platformën zyrtare të rishitjes së biletave, mënyrën e organizimit të procesit të blerjes dhe presionin kohor ndaj tifozëve gjatë rezervimit.
Gjykata i pranoi argumentet e paraqitura dhe ndaloi vazhdimin e këtyre praktikave. FIFA ka të drejtë të apelojë vendimin, ndërsa në rast të shkeljes së urdhrit gjyqësor mund të përballet me gjobë deri në 250 mijë euro.
Problemet me biletat nuk janë kufizuar vetëm në Gjermani. Në disa shtete amerikane, përfshirë Teksasin, Kaliforninë, Nju Xhersin dhe Nju Jorkun, po zhvillohen hetime lidhur me mënyrën e shpërndarjes së biletave për ndeshjet e Botërorit.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara është ngritur edhe një padi kolektive ndaj platformës StubHub, pas ankesave se disa bileta të blera më herët janë anuluar në një afat të shkurtër.
Kritikat kryesore lidhen me mungesën e transparencës, krijimin artificial të mungesës së biletave dhe rritjen e ndjeshme të çmimeve, që sipas tifozëve po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ndjekjen e ndeshjeve të Kupës së Botës 2026.


