Temperaturat e larta sjellin kufizime/ Nesër ndalohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

Qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë do të kufizohet përkohësisht nesër në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se masa do të zbatohet të premten, pasi sipas parashikimeve zyrtare temperaturat pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.
Kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30 dhe do të prekë vetëm autoudhët e vendit.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë ndalim të qarkullimit, pasi sipas ministrisë nuk janë plotësuar kriteret për zbatimin e kësaj mase.
Ministria ka bërë të ditur se do të vijojë monitorimin e situatës së motit dhe do të njoftojë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim të mundshëm në masat e kufizimit.


