Finalja që ndan dy epoka të futbollit/ Demi: Messi përballë brezit të artë të Spanjës në duelin e historisë

Në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, i ftuar ishte fizioterapisti Klajv Demi, i cili analizoi finalen e shumëpritur të Botërorit mes Argjentinës dhe Spanjës.

Përballja mes dy kombëtareve po shihet si një nga finalet më të veçanta të historisë së futbollit, pasi në një krah qëndron një brez i ri me yje si Lamine Yamal, Nico Williams dhe Rodri, ndërsa në anën tjetër është Lionel Messi, një prej figurave më të mëdha që ka njohur ky sport.

Klajv Demi e cilësoi këtë sfidë si një përplasje mes dy epokave të ndryshme të futbollit, ku talenti i ri përballet me eksperiencën dhe madhështinë e një legjende.

"Për mendimin tim kjo do të jetë një nga finalet më të bukura, mos më e bukura që ka pasur ndonjëherë Botërori. Kemi një gjeneratë të re me Lamine Yamal, Nico Williams dhe shumë lojtarë të tjerë."-tha ai.

Sipas tij, kjo finale përfaqëson simbolikisht një duel mes “lindjes dhe perëndimit”, ku Spanja vjen me energjinë e një brezi të ri, ndërsa Argjentina mbështetet te magjia e Messit.

"Lindja dhe perëndimi, shumë e thjeshtë. Nga krahu tjetër kemi një Lionel Messi që, pavarësisht moshës së tij të madhe për një futbollist, prapë është i jashtëzakonshëm. Mezi po e pres këtë finale."-shtoi i ftuari.

Pavarësisht preferencës personale për Argjentinën, Demi u shpreh se një triumf i Spanjës nuk do të ishte zhgënjim, pasi të dyja skuadrat kanë histori dhe lojtarë që e meritojnë suksesin.

"Unë shpresoj të fitojë Argjentina, por nëse fiton Spanja nuk do të ketë hatërmbetje. Jam win-win me të dyja si tifoz i Barcelonës."-shtoi Demi.

Në fund, vëmendja mbetet te Lionel Messi dhe mundësia që një tjetër trofe ta vendosë emrin e tij në majën e historisë së futbollit.

"Sado dua që të fitojë Argjentina, dua që emri i Messit të vendoset njëherë e mirë në piedestal."-theksoi fizioterapisti.

 

EMISIONET