Raporti i KE për Sundimin e Ligjit 2026 vlerëson progresin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Sundimin e Ligjit 2026, ku Shqipëria merr një vlerësim pozitiv për hapat e ndërmarrë në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe zbatimin e reformave të lidhura me integrimin evropian.
Raporti evidenton përparimin në konsolidimin e reformës në drejtësi, përfundimin e procesit të vettingut dhe përpjekjet për rritjen e pavarësisë, integritetit dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor.
Sipas dokumentit të Komisionit Evropian, procesi i rivlerësimit kalimtar ka përfunduar dhe standardet e krijuara prej tij po përfshihen gradualisht në funksionimin e përditshëm të institucioneve të drejtësisë.
Një vlerësim i veçantë i kushtohet edhe luftës kundër korrupsionit. Raporti evidenton punën e institucioneve të posaçme në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe përmirësimet në kuadrin ligjor dhe institucional.
Komisioni Evropian ka vlerësuar gjithashtu përmirësimin e efikasitetit të gjykatave, duke përmendur uljen e numrit të çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, rritjen e cilësisë së përgatitjes së magjistratëve dhe procesin e modernizimit e digjitalizimit të drejtësisë.
Raporti evidenton edhe një rritje të perceptimit pozitiv për pavarësinë e gjyqësorit, si nga qytetarët ashtu edhe nga komuniteti i biznesit.
Krahas progresit, dokumenti identifikon edhe fusha ku Shqipëria duhet të vijojë punën për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e mëtejshme të standardeve evropiane.
Raporti i vitit 2026 vjen në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe pasqyron ecurinë e vendit në përmbushjen e kërkesave për anëtarësim.


