FIFA vendos rregullat për finalen Spanjë–Argjentinë, ja sa do të zgjasë pushimi mes pjesëve

FIFA ka sqaruar kohëzgjatjen e pushimit mes dy pjesëve të finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, duke i dhënë fund raportimeve se ndërprerja mund të zgjatej mbi 30 minuta për shkak të spektaklit muzikor.
Institucioni më i lartë i futbollit bëri të ditur se pushimi do të zgjasë gjithsej 17 minuta, vetëm dy minuta më shumë se koha standarde e një ndeshjeje.
Sipas organizatorëve, rreth 11 minuta do t'i kushtohen performancave të artistëve të ftuar, mes tyre Shakira, Madonna dhe Justin Bieber. Gjashtë minutat e mbetura do të përdoren për montimin dhe çmontimin e skenës, si edhe për ujitjen e fushës.
Kujdesi për terrenin e stadiumit "MetLife" është një nga çështjet që ka tërhequr vëmendjen e stafit teknik të Spanjës, pasi në ndeshjet e mëparshme fusha është konsideruar më e thatë se zakonisht, duke ndikuar në ritmin e lojës.
Ndërkohë, FIFA do të ruajë edhe rregullin për pushimet e hidratimit. Për shkak të temperaturave të larta gjatë turneut, në finale do të ketë dy ndërprerje për furnizimin e lojtarëve me ujë, nga një në secilën pjesë të lojës.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin MetLife në New Jersey dhe pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të ndjekura të vitit, duke kombinuar përballjen në fushë me një spektakël muzikor gjatë pushimit.


