Lautaro Martinez hero i Argjentinës! Hyri nga stoli dhe me prekjen e parë dërgoi "Albiceleste" në finale

Lautaro Martinez hero i Argjentinës! Hyri nga stoli dhe me prekjen e

Lautaro Martinez u bë heroi i Argjentinës në fundin dramatik të ndeshjes ndaj Anglisë, duke shënuar golin e kualifikimit vetëm pak minuta pasi u aktivizua nga stoli. Sulmuesi i Interit preku topin për herë të parë dhe e dërgoi në rrjetë, duke vulosur rikthimin e "Albiceleste" dhe duke shpërthyer më pas në emocione.

Trajneri Lionel Scaloni hodhi në fushë Lautaro Martinezin në minutën e 81-të, në një moment kur Argjentina ishte në disavantazh dhe kërkonte me ngulm golin e kualifikimit. Pas barazimit të Enzo Fernandez, ndeshja u drejtua drejt minutave shtesë, ku erdhi edhe momenti vendimtar.

Në minutën e dytë të kohës shtesë, pasi Alexis Mac Allister goditi shtyllën, Lionel Messi harkoi një top të saktë në zonë. Lautaro Martinez, mes mbrojtësve anglezë Ezri Konsa dhe John Stones, goditi me kokë dhe mposhti Jordan Pickford, duke realizuar golin që i dha fitoren Argjentinës.

Pas ndeshjes, sulmuesi nuk i fshehu emocionet.

"Nuk e di, të jem i sinqertë… Kjo është shumë e fortë. Herën e parë që babai im më bleu një palë çizme, gjithmonë ëndërroja ta shënoja këtë gol", u shpreh ai me zërin e dridhur.

Më pas kujtoi nënën e tij, e cila, sipas tij, nuk ka pushuar kurrë së mbajtur gati shtratin që nga dita kur ai u largua për te Racing.

"Për nënën time, që nga dita kur u nisa për te Racing nuk pushoi kurrë së shtruari shtratin tim. Kjo vlen më shumë se një gol, më shumë se një finale."

Lautaro foli edhe për ndryshimin që kanë sjellë në jetën e tij dy fëmijët.

"Kam dy fëmijët e mi që ma kanë ndryshuar jetën. Sot jam burrë dhe e shijoj jetën."

Për sulmuesin argjentinas, ky gol ka një domethënie të veçantë. Në Kupën e Botës në Katar ai u shpall kampion me Argjentinën, por e mbylli turneun pa realizuar asnjë gol. Këtë herë, ai u bë njeriu që vendosi fatin e ndeshjes dhe i dha ekipit të tij kualifikimin.

 

EMISIONET