Kriza godet gadishullin e pushtuar/ Krimea përballet me mungesa të rënda të karburantit

Krimea e pushtuar nga Rusia po përballet me probleme të rënda në furnizimin me energji elektrike dhe karburant, duke ngritur shqetësime për një krizë të mundshme humanitare në gadishull.
Udhëheqësi i vendosur nga Moska në Krime, Sergej Aksionov, ka pranuar se autoritetet nuk mund të garantojnë furnizim të përditshëm me benzinë në pikat e karburantit.
“Për momentin nuk mund të garantohet furnizimi i përditshëm me karburant”, deklaroi Aksionov, duke bërë të ditur se situata po menaxhohet me vështirësi.
Probleme serioze janë raportuar edhe me energjinë elektrike. Sipas autoriteteve lokale, aktualisht nuk është e mundur të hartohet një plan i qëndrueshëm për shpërndarjen e energjisë në të gjithë territorin e Krimesë.
Mungesat e karburantit dhe ndërprerjet e energjisë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shërbimet bazë, transport, furnizimin me ushqime dhe jetën e përditshme të banorëve.
Kriza lidhet me zhvillimet e luftës në Ukrainë, ku infrastruktura energjetike dhe logjistike nën kontrollin rus është goditur nga sulme të vazhdueshme. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë një afat se kur pritet rikthimi i normalitetit në furnizime.


