“Cilësia ka rënë”/ Ilirjan Alliu analizon Botërorin: Rritja e skuadrave po ndikon te loja dhe spektakli
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, gazetari sportiv Ilirjan Alliu komentoi ecurinë e Kampionatit Botëror dhe cilësinë e ndeshjeve të zhvilluara deri tani. Sipas tij, diskutimi nuk duhet të fokusohet te skuadra të veçanta apo te eliminimi i ndonjë favoriteje, por te formati i turneut dhe ndikimi që ai ka në nivelin e lojës.
Alliu u ndal te zgjerimi i Botërorit dhe rritja e numrit të skuadrave pjesëmarrëse, një ndryshim që sipas tij ka sjellë edhe diferenca më të mëdha mes ekipeve në fazën e grupeve.
"Po qe se nuk vazhdon Brazili më tutje, nuk do të përmbyset dynjaja. Problemi nis që nga fillimi i Botërorit. Vetë përfshirja e shumë skuadrave dhe ndarja gjeografike sipas kontinenteve do sillte një cilësi më të dobët."-tha ai.
Sipas tij, masiviteti i turneut ka ndikuar drejtpërdrejt te cilësia dhe estetika e lojës, duke krijuar ndeshje ku diferencat mes skuadrave janë të dukshme.
"Kur ka masivitet, patjetër që cilësia do të bjerë, estetika do të bjerë. Një pjesë e madhe e ekipeve që janë në grupe kanë diferenca të qarta me rivalët."-u shpreh Alliu.
Në analizën e tij, Alliu u shpreh se faza e grupeve po vuan nga mungesa e ekuilibrit mes skuadrave, gjë që sipas tij reflektohet edhe në ritmin dhe emocionet e ndeshjeve.
"Për sa kohë kemi këto diferenca kaq të mëdha mes skuadrave, nuk krijohet intensiteti i lojës që kënaq shijet e publikut."-theksoi ai.


