Pse truri i kujton më mirë surprizat?

Truri ynë i kujton ngjarjet e papritura më saktë sepse, kur kapet në befasi, kërkon të marrë sa më shumë informacion shqisor nga mjedisi përreth.
E bën këtë për të përditësuar kujtesën e tij të brendshme dhe kështu të përgatitet për t’iu përgjigjur më shpejt situatave të ngjashme në të ardhmen.
Një eksperiment i kryer nga psikologë në Universitetin e Sidnejt e demonstron këtë.
Rezultatet, të botuara në revistën ”JNeurosci”, mund të jenë të dobishme për përmirësimin e efikasitetit dhe performancës së rrjeteve nervore dhe sistemeve të inteligjencës artificiale.
Studimi i jep fund debatit të gjatë rreth të ashtuquajturës “efikasitet adaptiv”, ose mënyrës se si truri ynë shpenzon energjinë e tij për t’u përballur me presionet e jashtme.
Për të studiuar këtë fenomen, studiuesit u kërkuan 40 vullnetarëve të vëzhgonin shkëndija drite që shfaqeshin rreth një rrethi, ndonjëherë në mënyrë të parashikueshme, ndonjëherë në mënyrë të papritur.
Gjatë testit, aktiviteti i trurit të tyre u mat nëpërmjet elektroencefalogramës (EEG), dhe reagimet e bebëzave të tyre u monitoruan gjithashtu.
Pjesëmarrësit iu përgjigjën më shpejt dhe më saktë shkëndijave të pritura të dritës, por kishin më shumë vështirësi të kujtonin vendndodhjen e tyre të saktë sesa shkëndijave të papritura.
Studimi gjithashtu tregon se truri reagon ndaj ngjarjeve të njohura në dy faza:
së pari, parashikon se çfarë do të ndodhë
së dyti, përgatit trupin për të reaguar shpejt.
Kur më pas e njeh se ngjarja është ajo që priste, vendos të kursejë energji duke mos përpunuar me saktësi informacionin nga mjedisi i jashtëm.
Si ngjarjet e pritura ashtu edhe ato të papritura u përfaqësuan në korteksin cerebral brenda 100 milisekondave nga shikimi i shkëndijës, por ngjarjet e papritura u përfaqësuan më qartë në valët e trurit sesa ngjarjet e pritura.


