Pezullohet mësimi në shkolla dhe punë nga shtëpia, ndeshja kthehet në festë në Meksikë

Pezullohet mësimi në shkolla dhe punë nga shtëpia, ndeshja

Qeveria federale e Meksikës ka miratuar një dekret të veçantë që parashikon punën nga shtëpia më 30 qershor 2026, në prag të ndeshjes së kombëtares meksikane në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës.

Masa do të zbatohet për të gjithë punonjësit e administratës federale që punojnë në zyrat e vendosura në Mexico City. Po ashtu, autoritetet kanë vendosur pezullimin e procesit mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit gjatë asaj dite.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se vendimi synon të lehtësojë qarkullimin në qytet, të rrisë sigurinë rrugore, si dhe të garantojë vazhdimësinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike.

“Qëllimi është të kontribuojmë në përmirësimin e lëvizshmërisë urbane, sigurisë rrugore, vazhdimësisë së aktiviteteve administrative dhe efikasitetit në ofrimin e shërbimeve publike”, u shpreh Sheinbaum.

Ky është vendimi i tretë i këtij lloji që merret gjatë këtij Botërori. Nga skema e punës në distancë përjashtohen shërbimet thelbësore, si sektori i shëndetësisë, sigurisë publike, transportit dhe personeli i angazhuar në organizimin e Kupës së Botës.

Ndërkohë, për sektorin privat vendimi nuk është i detyrueshëm, por qeveria u ka bërë thirrje kompanive dhe organizatave me seli në Mexico City që të lehtësojnë punën nga shtëpia ose të aplikojnë forma fleksibël të organizimit të punës për aktivitetet administrative që nuk janë thelbësore.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 18% e kompanive në Meksikë u japin tashmë mundësinë punonjësve të punojnë nga shtëpia për të ndjekur ndeshjet e kombëtares në Kupën e Botës.

EMISIONET