Avioni u përplas me kullën më të lartë në Pekin, por si u fshi çdo gjurmë nga autoritetet?

Avioni u përplas me kullën më të lartë në Pekin,

Një aeroplan i vogël u përplas të premten pasdite me Kullën CITIC, rrokaqiellin më të lartë të Pekinit me 109 kate, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe plagosjen e 13 personave. Aksidenti ndodhi gjatë orës së pikut, ndërsa copa xhami dhe mbetje të avionit ranë në rrugët përreth, duke krijuar panik mes qytetarëve.

Sipas raportimeve të CNN, pak minuta pas incidentit, pamjet dhe informacionet për ngjarjen u fshinë nga rrjetet sociale kineze. Fillimisht autoritetet nuk e pranuan publikisht aksidentin, ndërsa mediat shtetërore, përfshirë televizionin kombëtar CCTV, nuk transmetuan asnjë lajm mbi përplasjen.

Vetëm të shtunën, media shtetërore konfirmoi se një aeroplan sportiv me një motor dhe dy vende ishte përplasur me ndërtesën. Piloti, i vetmi person në bord, humbi jetën, ndërsa 13 persona në tokë mbetën të plagosur. Shkaqet e aksidentit vijojnë të hetohen dhe ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo një akt të qëllimshëm.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta edhe për sigurinë ajrore në kryeqytetin kinez, ku hapësira ajrore kontrollohet në mënyrë shumë të rreptë dhe fluturimet e avionëve të lehtë apo dronëve lejohen vetëm me autorizime të veçanta.

Pas aksidentit, policia izoloi zonën përreth Kullës CITIC dhe kufizoi hyrjen vetëm për personat që punonin aty. Ndërkohë, videot e përplasjes u bënë virale jashtë Kinës, ndërsa brenda vendit çdo gjurmë e incidentit u zhduk nga platformat online, duke rikthyer debatet mbi kontrollin e rreptë të informacionit nga autoritetet kineze.

EMISIONET