“Nature”: Shkencëtarët identifikojnë bakteret që nxisin sklerozën e shumëfishtë

“Nature”: Shkencëtarët identifikojnë bakteret që

Dy lloje bakteresh të zorrëve mund të luajnë një rol kyç, në zhvillimin e sklerozës së shumëfishtë, sipas “Nature”.

Një ekip ndërkombëtar studiuesish, i udhëhequr nga shkencëtarë të Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut (LMU) dhe Institutit “Max Planck për Inteligjencën Biologjike” në Gjermani, në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë në San Francisko (UCSF), ka identifikuar dy lloje bakteresh të zorrëve që mund të lidhen me zhvillimin e “sklerozës së shumëfishtë” (MS), sipas “Nature”.

Gjetjet u publikuan fillimisht, në revistën shkencore “Proceedings of the National Academy of Sciences” (PNAS).

Në studim u analizua mikrobioma e zorrëve e 81 çifteve binjakësh identikë, ku vetëm njëri prej tyre ishte diagnostikuar me sklerozë të shumëfishtë.

Duke qenë se binjakët identikë, kanë pothuajse të njëjtin material gjenetik, studiuesit arritën të minimizonin ndikimin e faktorëve gjenetikë dhe të përqendroheshin te ndryshimet në bakteret e zorrëve.

Ata identifikuan 51 grupe bakteresh, që ndryshonin mes binjakëve të sëmurë dhe atyre të shëndetshëm.

Për të testuar, nëse këto baktere mund të ndikonin drejtpërdrejt në sëmundje, mostrat e përzgjedhura të mikrobiomës u transplantuan te minj sterilë, të modifikuar gjenetikisht për të zhvilluar një sëmundje të ngjashme me sklerozën e shumëfishtë.

Minjtë që morën bakteret nga pacientët me sklerozë të shumëfishtë, shfaqën simptoma më shpesh se grupi i kontrollit.

Dy baktere dolën në pah si kandidatët kryesorë: Eisenbergiella tayi dhe Lachnoclostridium, të dyja pjesë e familjes Lachnospiraceae.

Megjithatë, autorët theksojnë se, këto rezultate nuk provojnë se bakteret shkaktojnë sklerozën e shumëfishtë te njerëzit.

Skleroza e shumëfishtë mbetet një sëmundje komplekse, ku ndikojnë faktorë gjenetikë, imunitarë, viralë, mjedisorë dhe mënyra e jetesës.

Sidoqoftë, studimi forcon hipotezën se mikrobioma e zorrëve, mund të ndikojë në aktivitetin e sistemit imunitar dhe, rrjedhimisht, në proceset inflamatore që prekin trurin dhe palcën kurrizore.

EMISIONET