Koçiu: 40 banesa sociale do të ndërtohen në Librazhd për familjet në nevojë

Në Librazhd pritet të ndërtohet një lagje të re me 40 banesa sociale, e cila do t’u shërbejë familjeve në nevojë dhe qytetarëve të pastrehë.
Projekti parashikon gjithashtu krijimin e hapësirave publike të gjelbëruara, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për komunitetin.
Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila theksoi se investimi po realizohet në bashkëpunim me partnerët nga Katari.
“Një lajm i mirë për Librazhdin, ku së shpejti një lagje e re me 40 banesa sociale dhe hapësira publike të gjelbëruara, do të kthehet në një adresë të re shprese dhe dinjiteti për familjet në nevojë dhe qytetarët e pastrehë.
“Në bashkëpunim me miqtë tanë nga Katari, ky projekt përfaqëson një model të ri zhvillimi social, ku solidariteti dhe mbështetja konkrete kthehen në mundësi për një jetë më të mirë dhe më të sigurt për ata që kanë më shumë nevojë”, thekson Koçiu.
Koçiu nënvizoi se do të vijojnë punën me partneritete të forta dhe me vizionin e qartë për Shqipërinë 2030, me synimin për të ndërtuar një vend më solidar dhe gjithëpërfshirës, ku askush të mos mbetet pas.

