10 000 motoristë për 80-vjetorin e ”Vespa”-s

Skuteri legjendar italian “Vespa” feston 80-vjetorin e krijimit të tij me një aktivitet madhështor sot në Romë, ku pritet të marrin pjesë më shumë se 10 mijë adhurues nga e gjithë bota.
Festimet katërditore nisën të enjten me hapjen e ”Vespa Village” në kompleksin sportiv ”Foro Italico” dhe kulmojnë sot me një paradë të madhe në rrugët e kryeqytetit italian.
Pjesëmarrësit do të parakalojnë me modelet karakteristike të ”Vespa”-s, të njohura për dizajnin e rrumbullakët dhe stilin e tyre unik.
Kryetari i Romës, Roberto Gualtieri, e cilësoi atë një simbol të historisë dhe kulturës italiane.
Sipas tij, skuteri shoqëroi rilindjen e Italisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u bë pjesë e identitetit kombëtar, ndërsa Roma fitoi famë botërore falë filmave klasikë si ”Roman Holiday” dhe ”La Dolce Vita”.
“Vespa”-s iu dha patenta më 23 prill 1946 nga kompania italiane “Piaggio” dhe vazhdon të prodhohet edhe sot në fabrikën e saj në Pontedera, në rajonin e Toskanës.
Emri ”vespa”, që në italisht do të thotë ”grerëz”, u frymëzua nga tingulli karakteristik i motorit.
Për shumë pjesëmarrës, “Vespa” është më shumë sesa një mjet transporti.
Amerikani Andrew Ward, i cili udhëtoi në Romë së bashku me motrën e tij për paradën, tha se kishte ëndërruar gjithmonë të zotëronte një “Vespa” dhe tani ka dy të tilla.
Motra e tij, Julie Stover, e përshkroi atë si një skuter cilësor dhe elegant, me një status të veçantë.
Drejtuesi ekzekutiv i grupit ”Piaggio”, Matteo Colaninno, theksoi se “Vespa” simbolizon jo vetëm lëvizjen fizike, por edhe përparimin ekonomik e shoqëror të Italisë pas luftës.
Ai bëri të ditur se që nga viti 1946 janë prodhuar gati 20 milionë “Vespa” në mbarë botën.
Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni iu bashkua festimeve, duke e cilësuar motorin si një ikonë të krijimtarisë, stilit dhe ekselencës industriale italiane, ndërsa shumë pjesëmarrës theksuan se pasioni për këtë skuter krijon miqësi dhe bashkon njerëz nga vende të ndryshme të botës.


