Ylli i Iranit shpërthen pas barazimit me Egjiptin: Infantino erdhi në dhomat tona të zhveshjes …

Ylli i Iranit shpërthen pas barazimit me Egjiptin: Infantino erdhi në

Sulmuesi i Iranit, Mehdi Taremi, nuk i kurseu kritikat ndaj FIFA-s pas barazimit 1-1 kundër Egjiptit, një sfidë në të cilën ai humbi edhe një penallti në një moment kyç të takimit.

Ish-sulmuesi i Interit e cilësoi organizimin e Kupës së Botës si një dështim të plotë, duke akuzuar FIFA-n për mungesë zgjidhjesh ndaj problemeve logjistike që, sipas tij, kanë shoqëruar kombëtaren iraniane që nga fillimi i turneut.

“Është një Kupë Bote katastrofike. FIFA duhet t’i kishte zgjidhur të gjitha problemet, por për fat të keq nuk bëri asgjë që nga fillimi.  Infantino erdhi në dhomën tonë të zhveshjes pas ndeshjes së parë dhe tha se ishte vetëm fillimi, por faza e grupeve mbaron nesër dhe ne ende nuk i kemi zgjidhur problemet tona logjistike. Në një garë profesionale, kjo nuk është e drejtë”, deklaroi Taremi.

Sulmuesi iranian shkoi edhe më tej, duke lënë të kuptohet se kombëtarja e tij nuk po trajtohet në mënyrë të barabartë gjatë turneut.

“Po sikur të duan të na eliminojnë nga turneu? Këtu duhet të luftojmë kundër gjithçkaje; luajmë për popullin tonë. Duam t’i dërgojmë një mesazh paqeje popullit iranian, jashtë Iranit, FIFA-s, të gjithëve. Por nuk ka paqe nga të tjerët ndaj nesh”, përfundoi Taremi.

Deklaratat e sulmuesit pritet të ngjallin reagime, pasi ai vuri në pikëpyetje jo vetëm organizimin e turneut, por edhe mënyrën se si po trajtohet kombëtarja e Iranit gjatë Kupës së Botës.

EMISIONET