VIDEO-REPORTAZHI/ Pazari i Ri, destinacion i shijes dhe traditës shqiptare në zemër të Tiranës

VIDEO-REPORTAZHI/ Pazari i Ri, destinacion i shijes dhe traditës shqiptare

Pazari i Ri në Tiranë mbetet një nga destinacionet më të vizituara nga qytetarët vendas, por edhe turistët e huaj, të cilët zgjedhin ta përfshijnë në itinerarin e tyre gjatë qëndrimit në kryeqytet.

Vizitorë të huaj dhe vendas vijojnë të sfidojnë temperaturat e larta, duke shëtitur në rrugët e Tiranës dhe duke shijuar atmosferën verore të kryeqytetit.

ATSH sjell pamje nga Pazari i Ri, një prej destinacioneve më të frekuentuara, që ofron një ndërthurje të traditës me modernen për vizitorët që dëshirojnë të udhëtojnë në historinë dhe kulturën shqiptare.

I vendosur në zemër të qytetit, Pazari i Ri ofron një atmosferë të gjallë, ku ndërthuren stendat me fruta dhe perime të freskëta, produktet bio të fermerëve shqiptarë, bulmeti, mjalti, erëzat, ullinjtë, frutat e thata dhe një larmi produktesh artizanale që pasqyrojnë traditën shqiptare.

Atmosfera karakteristike, ndërthurja e arkitekturës tradicionale me hapësirat moderne, si dhe produktet e freskëta të fermerëve vendas e bëjnë Pazarin e Ri një pikë tërheqëse për vizitorët nga vende të ndryshme të botës.

Turistët kanë mundësinë të shijojnë gatimet tradicionale shqiptare, të blejnë produkte artizanale dhe suvenire, si edhe të njihen nga afër me kulturën dhe mikpritjen shqiptare.

Gjatë sezonit veror, fluksi i vizitorëve është edhe më i lartë, ndërsa Pazari i Ri vijon të jetë një nga hapësirat më të frekuentuara të Tiranës, duke kontribuar në promovimin e turizmit urban dhe të produkteve lokale.

Rikualifikimi i Pazarit të Ri e ka shndërruar këtë zonë në një qendër të rëndësishme të turizmit urban, ku tradita e tregtisë shumëvjeçare bashkëjeton me shërbimet moderne. Sot, ai është një nga vendet që rekomandohet më shpesh në guidat turistike për këdo që dëshiron të njohë nga afër identitetin, shijet dhe mikpritjen shqiptare.

Për shumë vizitorë të huaj, Pazari i Ri është një ndalesë e domosdoshme për të përjetuar jetën e përditshme të kryeqytetit dhe për të zbuluar shijet autentike të Shqipërisë./ Marre nga ATSH

EMISIONET