Çmimet e apartamenteve rriten 122% brenda 7 viteve/ Arrijnë gati 2.2 mijë euro/m² në mars

Arrin në nivele rekord çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve në Tiranë. Deri në muajin mars 2026, çmimi mesatar për apartamentet ka arritur 2,141 euro/m².
Çmimi median ka arritur 2,046 euro për metër katror.
Të dhënat për ecurinë e çmimeve mesatare të apartamenteve nga 2005 deri në 3-mujorin e parë të 2026-s janë publikuar në indeksin “Keydata Albania” të “Çelësi Media Group”.
Indeksi përfshin një përzierje të dhënash, përfshirë çmimet e apartamenteve të rishitura dhe të reja, megjithatë shumica e tregut që pasqyrohet në indeks është bazuar në çmimet e apartamenteve të rishitura.
Në 7 vite, çmimet e apartamenteve në Tiranë rezultojnë se janë dyfishuar.
Krahasuar me 3-mujorin e parë të 2019-s, periudhë kur nisi përshpejtimi i rritjes, çmimet mesatare të apartamenteve në 3-mujorin e parë të 2026 janë bërë dy herë më të larta. Nga 964 euro për metër katror, çmimi mesatar arrin në nivelin e 2,141 eurove për metër katror apo 122% më shumë.
Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, dhe çmimi mesatar ishte 664 euro/m², rritja e çmimeve është rreth 222% më shumë.
Çmimi mesatar i apartamenteve në 21 vite është mbi trefishuar krahasuar me vitin 2005.
Ndryshime të çmimeve mesatare të apartamenteve ka pasur edhe për tre zonat kryesore të analizuara nga indeksi.
Në zonën e ish – Blloku çmimi mesatar i shitjes ka arritur 3,003 euro për metër katror deri në muajin mars 2026 nga 1,574 euro për metër katror që ishte çmimi në 3-mujorin e parë të 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 4 viteve më parë çmimi mestar në këtë zonë është rritur me 90%.
Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, çmimi mesatar ka arritur 2,431 euro për metër katror nga 1,269 euro që ishte në 3-mujorin e parë të 2022. Edhe në këtë çmimet janë rritur rreth 92% krahasuar me 4 vite më parë.
Shtrenjtim të çmimeve ka pasur edhe për apartamentet jashtë Unazës së Vogël. Në këtë zonë regjistrohet çmim mesatar prej 2,022 euro për metër katror nga 1,056 që ishte në 3 mujorin e parë të 2022. Rritja me 91.4%. /Monitor/



