U përjashtua nga Byroja/ Kuvendi i mbyll derën Shehajt. Deputeti përplaset me Gardën, kërkon të hyjë në seancë: Përjashtimi im përfundoi

Agron Shehaj ka tentuar të hyjë në ambientet e Kuvendit për të marrë pjesë në seancën e fundit plenare të këtij sesioni, por nuk është lejuar për shkak të vendimit të përjashtimit nga punimet parlamentare.

Kreu i Partisë “Mundësia” është ndaluar nga strukturat e sigurisë në hyrje të godinës, ndërsa jashtë Kuvendit vijojnë tensionet dhe protesta e paralajmëruar nga qytetarët.

Përjashtimi i Shehajt nga punimet parlamentare u la në fuqi nga Byroja e Kuvendit më 22 qershor. Sipas vendimit, ai është përjashtuar për 30 ditë, ndërsa deputeti Erald Kapri për 20 ditë, pas tensioneve të krijuara gjatë seancës së fundit plenare.

Ky është përjashtimi i dytë disiplinor brenda pak ditësh për Agron Shehajn.

Byroja e Kuvendit kishte lënë në fuqi një tjetër masë 30-ditore, pas kërkesës së deputetëve socialistë, të cilët e akuzuan se kishte fyer ministrin e Financave, Petrit Malaj, gjatë një debati në sallën e Kuvendit.

Me dy vendimet e marra, Shehaj mbetet i përjashtuar nga punimet parlamentare për një periudhë totale prej 60 ditësh.

Tensionet që çuan në këto masa disiplinore nisën gjatë seancës së 18 qershorit, ku gjatë diskutimeve për amnistinë penale, Shehaj dhe Kapri patën përplasje me deputetët e tjerë në sallën e Kuvendit.

 

EMISIONET