Transferimi i Casemiros te Inter Miami nën lupën e MLS/ Dyshime për shkelje të rregullave

Transferimi i Casemiros te Inter Miami nën lupën e MLS/ Dyshime

Inter Miami është vënë nën hetim nga Major League Soccer (MLS) menjëherë pas zyrtarizimit të transferimit të mesfushorit brazilian Casemiro.

Klubi nga Florida njoftoi afrimin e 34-vjeçarit, i cili u largua nga Manchester United, me një kontratë që do ta mbajë në MLS deri në fund të sezonit 2027, me opsion për zgjatje deri në vitin 2029.

Megjithatë, pak pas prezantimit të lojtarit, MLS konfirmoi se ka nisur një hetim ndaj Inter Miamit për dyshime mbi shkelje të rregullave të negociimit mes klubeve, të njohura si “tampering”.

“Liga po mbledh të gjitha informacionet e nevojshme dhe nuk do të japë komente të tjera deri në përfundimin e hetimit”, thuhet në deklaratën zyrtare të MLS.

Çështja lidhet me rregullin e “discovery rights”, i cili i jep një klubi të drejtën e parë për të negociuar me një futbollist që synon të transferohet në kampionatin amerikan. Në rastin e Casemiros, këto të drejta i përkisnin LA Galaxy.

Inter Miami kishte bërë të ditur se kishte arritur marrëveshje me klubin nga Los Angeles për marrjen e këtyre të drejtave, por MLS po verifikon nëse procedura është zhvilluar në përputhje me rregulloret e ligës.

Casemiro vjen në SHBA pas një karriere të suksesshme në Evropë, ku me Real Madridin fitoi pesë trofe të Ligës së Kampionëve, ndërsa me Manchester United fitoi Kupën FA dhe Kupën e Ligës.

Në Inter Miami, braziliani do të bashkohet me yje si Lionel Messi, Rodrigo De Paul dhe Sergio Reguilón, ndërsa bashkëpronari i klubit, David Beckham, e ka cilësuar transferimin e tij si një afrim të rëndësishëm.

Ky nuk është rasti i parë që Inter Miami përballet me një hetim nga MLS. Në vitin 2021, klubi u gjobit me 2 milionë dollarë për shkelje të rregullave financiare gjatë transferimit të Blaise Matuidit nga Juventusi.

EMISIONET