Zjarret dalin jashtë kontrollit në Francë dhe Spanjë, mbi 295 mijë persona braktisin shtëpitë

Zjarret masive po vazhdojnë të përhapen në Francë dhe Spanjë, duke krijuar një situatë të rëndë në disa rajone dhe duke detyruar qindra mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Mbi 295 mijë persona janë evakuuar deri tani, ndërsa autoritetet po përballen me flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta.
Situata më e vështirë paraqitet në jugperëndim të Francës, ku zjarri ka avancuar deri rreth 15 kilometra nga Bordoja.
Rreth 220 mijë banorë janë evakuuar dhe qindra banesa janë shkatërruar.
Në terren janë angazhuar mijëra zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 37 gradë Celsius, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Për shkak të situatës, presidenti Emmanuel Macron ka zhvilluar një mbledhje emergjente me qeverinë për koordinimin e masave ndaj krizës.
Edhe Spanja vijon të përballet me një situatë kritike. Mbi 75 mijë persona janë evakuuar, ndërsa rreth 30 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesat e tyre për shkak të rrezikut nga zjarret.
Qeveria spanjolle ka shpallur emergjencën kombëtare dhe ka aktivizuar mekanizmin evropian të ndihmës, ndërsa autoritetet në të dy vendet vazhdojnë operacionet për të frenuar flakët dhe për të mbrojtur zonat e banuara.


