Armando Broja drejt Serie A, Lazio rikthen interesin për sulmuesin shqiptar

Armando Broja drejt Serie A, Lazio rikthen interesin për sulmuesin shqiptar

Armando Broja mund të jetë pranë një transferimi të ri në karrierë, me sulmuesin shqiptar që ka hyrë sërish në planet e një klubi të madh italian. Lazio ka rikthyer interesin për 24-vjeçarin dhe po shqyrton mundësinë për ta sjellë në Serie A për sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubit bardhekaltër kanë rifilluar kontaktet me Burnley për Brojën, i cili sezonin e kaluar u aktivizua në Championship pas rënies së skuadrës angleze nga Premier League.

Lazio po kërkon një qendërsulmues për t’i dhënë më shumë alternativa trajnerit Gennaro Gattuso dhe emri i Brojës është rikthyer në krye të listës së dëshirave. Drejtori sportiv Angelo Fabiani e ka ndjekur më herët sulmuesin shqiptar dhe këtë herë transferimi shihet si një mundësi më konkrete.

Sipas mediave italiane, Burnley është i hapur për largimin e Brojës në formë huazimi, edhe pa detyrim blerjeje, një formulë që do ta bënte marrëveshjen më të lehtë për Lazion nga ana financiare.

Përveç sulmit, klubi italian po punon edhe për përforcime në repartet e tjera.

Lazio po ndjek mbrojtësin danez Noah Markmann, ndërsa në mesfushë janë në diskutim emrat e Marco Brescianinit dhe Giovanni Fabbian.

Fiorentina është e gatshme të lejojë huazimin e Brescianinit pa detyrim blerjeje, ndërsa mesfushori shihet si një nga opsionet kryesore për skuadrën kryeqytetase.

Nëse marrëveshja finalizohet, Armando Broja do të kishte mundësinë të rikthehej në një kampionat elitar pas eksperiencës në Angli dhe të provonte veten në një nga ligat më të forta të Europës.

EMISIONET