Trump frenon përshkallëzimin ndaj Iranit, alarm në SHBA për rezervat e raketave Patriot

Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të mos ndërmarrë për momentin sulme të reja kundër Iranit, ndërsa në administratën amerikane janë ngritur shqetësime për pakësimin e rezervave të raketave interceptuese Patriot dhe municioneve të tjera të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve të New York Times, vendimi erdhi pas një takimi të Trump me këshilltarët kryesorë të sigurisë dhe drejtues të administratës amerikane.
Gjatë diskutimit, gjenerali Dan Caine, kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, paralajmëroi për rrezikun e konsumimit të shpejtë të raketave mbrojtëse të përdorura nga Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM).
Burime të cituara nga media amerikane bëjnë me dije se shqetësimi nuk lidhet vetëm me kapacitetet ushtarake, por edhe me pasojat që një përshkallëzim i mëtejshëm mund të sjellë në rajon dhe ekonominë globale.
Administrata Trump po vlerëson gjithashtu rrezikun ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, të cilët mund të përballen me sulme të reja nga Irani, si dhe ndikimin që konflikti mund të ketë te çmimet e energjisë dhe tregjet ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e rëndësishme në diskutimet e Uashingtonit është situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Kufizimet në qarkullimin detar kanë shtuar shqetësimet për rritjen e çmimeve të naftës dhe karburanteve.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet mes palëve vijojnë, por deri tani nuk ka pasur një marrëveshje konkrete. Sipas vlerësimeve të fundit, sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane nuk kanë sjellë efektin e pritshëm në frenimin e kapaciteteve ushtarake të Teheranit.


