U shoqërua gjatë protestës, Genc Shehu rrëfehet pas lirimi se ç'ndodhi me policinë pranë Kuvendit

Një prej personave të shoqëruar nga policia gjatë tensioneve pranë perimetrit të sigurisë së Kuvendit është liruar nga ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë.

Bëhet fjalë për Genc Shehun, i cili pas daljes nga komisariati u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga qytetarët e pranishëm.

Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, i cili ndodhet pranë Komisariatit Nr. 1, raportoi se disa persona u shoqëruan pas incidenteve të regjistruara pranë Kuvendit, ndërsa Genc Shehu ishte një prej tyre dhe u lirua pak momente më parë.

Duke folur për mediat, Shehu rrëfeu se në momentin e ndalimit ndodhej në trotuarin mes rrugës së Elbasanit dhe lumit Lana, në një zonë pas kordonit të policisë.

"Unë isha te ai trekëndëshi në trotuar, midis rrugës së Elbasanit dhe Lanës. Erdhi një efektiv dhe më tha të dilja në drejtimin e turmës. I thashë se doja të largohesha nga ana tjetër, larg turmës dhe policisë. Si duket këtë e mori si kundërshtim dhe menjëherë u tha të tjerëve: 'merreni këtë'. Nga aty filloi gjithçka. Unë po regjistroja me celular."-tha ai.

Shehu sqaroi se gjatë qëndrimit në komisariat nuk ka pasur dhunë ndaj tij, por pranoi se ka marrë disa shenja në krahë gjatë momentit të ndalimit. Ai tregoi gjithashtu se gjatë shoqërimit iu këput edhe rripi i çantës.

"Në komisariat nuk ka pasur dhunë. Kam vetëm këto shenjat nga mënyra si më kanë kapur në të dyja anët. M'u këput edhe rripi i çantës, por kaq."-shtoi protestuesi.

Shehu përcolli një mesazh që u prit me duartrokitje nga të pranishmit.

"Amanetin na e kanë lënë, besa-besë dhe mos me e dhënë. Këtë mesazh dua që të përcillet sa më shumë."-u shpreh Genc Shehu për Ora News.

 

EMISIONET