Shkeljet nuk mbeten më pa denoncim/ Lançohet "sigurt.gov.al", raportimet bëhen edhe në mënyrë anonime
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka prezantuar platformën kombëtare sigurt.gov.al, një sistem i ri online që synon të lehtësojë raportimin e shkeljeve, të rrisë transparencën dhe të forcojë bashkëpunimin mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore.
Përmes platformës, qytetarët mund të denoncojnë raste kur një subjekt shkel legjislacionin e punës, ndot mjedisin ose nuk zbaton ligje të tjera të shtetit shqiptar.
Raportimet mund të bëhen me identitet ose në mënyrë anonime, sipas zgjedhjes së përdoruesit.
Platforma u jep mundësi edhe bizneseve të raportojnë raste kur një inspektor nuk zbaton ligjin, rregulloret apo standardet etike gjatë ushtrimit të detyrës. Edhe në këtë rast, raportimi mund të kryhet duke ruajtur anonimitetin ose duke u identifikuar.
Çdo denoncim pajiset me një kod unik gjurmimi, i cili u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të ndjekin online ecurinë dhe fazat e trajtimit të rastit.
Përveç raportimeve, sigurt.gov.al ofron edhe lista kontrolli sipas sektorëve, materiale vetëvlerësimi, udhëzime praktike dhe rekomandime për bizneset, me qëllim përmirësimin e përputhshmërisë me kërkesat ligjore gjatë inspektimeve.
Në platformë do të publikohen edhe statistika dhe të dhëna të agreguara mbi problematikat dhe tendencat e konstatuara, duke garantuar ruajtjen e anonimatit të raportuesve dhe pa bërë publike masat administrative ndaj subjekteve.
Nisma synon të rrisë transparencën e shërbimeve publike dhe të nxisë një bashkëpunim më të ngushtë mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve përgjegjëse për inspektimin.


