"Synimi është fundi i vitit 2027 për BE"/ Çika: Qytetarët duhet të përgatiten edhe për detyrimet
I ftuar në studion e Ora News, Emilio Çika foli për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke u ndalur te objektivi për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe te detyrimet që, sipas tij, do të shoqërojnë anëtarësimin.
Çika tha se institucionet po vijojnë punën për përmbushjen e kapitujve të negociatave, por vlerësoi se krahas angazhimit të qeverisë, rol të rëndësishëm kanë edhe akademia, shoqëria civile dhe organizatat që duhet të informojnë qytetarët për ndryshimet që sjell anëtarësimi në Bashkimin Europian.
"Kemi një target që është fundi i vitit 2027. Uroj që të mos kemi asnjë problematikë dhe të përmbushim kërkesat e vendosura nga Bashkimi Europian. Por qytetarët duhet të njihen jo vetëm me përfitimet, por edhe me detyrimet që sjell të qenit pjesë e Bashkimit Europian."-tha ai.
Sipas tij, integrimi do të ndikojë në rritjen e standardeve ekonomike, sociale dhe institucionale, por do të kërkojë edhe ndryshim të kulturës së përditshme të qytetarëve.
Çika solli si shembull menaxhimin e mbetjeve, duke shpjeguar se ndarja dhe depozitimi i tyre sipas rregullave nuk është thjesht një praktikë mjedisore, por pjesë e standardeve që zbatohen në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
"Ka raste kur shtete anëtare janë gjobitur nga gjykatat europiane për mosrespektimin e standardeve, edhe për çështje që në pamje të parë duken të vogla, si mbrojtja e mjedisit. Ne duhet të edukohemi me këtë kulturë dhe ta konsiderojmë veten qytetarë europianë edhe në sjelljen e përditshme."-shtoi eksperti.
Çika u shpreh se procesi i integrimit është i pakthyeshëm dhe se përgatitja e qytetarëve për standardet europiane duhet të ecë paralelisht me përmbushjen e detyrimeve institucionale.


